Maqedoni
Votohen anëtarët e KShZ-së, Çiçakovski kryetar, Prekopuca zëvendës i tij
16.12.2015 18:46
Komisioni për Çështjet e Zgjedhjeve dhe Emërimeve unanimisht konfirmoi listën e kandidatëve për anëtarë të KShZ-së...

Kryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor është propozuar Aleksandar Çiçakovski, ndërsa Rexhep Prekopuca si zëvendës i tij.
Seanca parlamentare në të cilën deputetët duhet të miratojnë propozimin që doli nga takimi mbrëmshëm i katër liderëve politik, sërish po zhvillohet me përplasje mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
“Zotri Shilegov, respekti juaj ndaj shtetit shihet me emrin e ndërruar, me kushtetutën e ndryshuar, stemën e ndryshuar shtetërore, 150 mijë shtetësi, sjellje të çuditshme në vitin 2001, mosrespektimin e institucioneve shtetërore. Ju keni dëshirë që të jeni politikanë kukulla, që çdoherë që jeni ngushtë shkoni dhe qani tek ambasadorët”- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
“Ambasadorët nga shtetet më të fuqishme shkuan personalisht në qeveri dhe i kërkuan personalisht Gruevskit që t’i përmbahet Marrëveshjes së Përzhinës. Mos bëni gjoja se ju intereson për qytetarët, aspak s’ju intereson për qytetarët, keni interes vetëm të dini se ndonjëri nga partia juaj a do të merr ndonjë para nga ndonjë investim”- tha deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.
Përveç Çiçakovskit dhe Prekopucës, në takimin e liderëve si ekspert i tretë është propozuar edhe Atanas Urumov.
Anëtarë të tjetë të KShZ-së janë: Subehi Jakupi i propozuar nga BDI, Bedredin Ibrahimin nga PDSh, VMRO-DPMNE i propozoi Silvana Bonevën dhe Sasho Sërcev, ndërsa nga LSDM Violeta Dumën dhe Igor Milev.
Zgjedhja e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të KShZ-së kaloi me 96 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur.
SANIJE KASAMI
