Maqedoni
Athinë, Poposki në takime me kreun shtetëror grek
17.12.2015 09:36
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki, sot po qëndron për vizitë zyrtare në Athinë...

Ai në Athinë do të takohet me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Koxias, me ministrin alternativ për rend publik dhe mbrojtje civile, Nikos Toskas, dhe me presidentin e Greqisë, Prokopis Pavlopulos.
MPJ e Maqedonisë kumtoi se gjatë takimit, ndërmjet Poposkit dhe Koxias "pritet të këmbehen mendime dhe qëndrime rreth mundësive për avancimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve fqinje dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe për çështje lidhur me integrimin evropian dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë".
Në intervistën e fundit për gazetën greke "Katimerini", ministri i Maqedonisë deklaroi se vizita e tij në Athinë nuk është rutinë diplomatike, meqë një gjë e këtillë nuk ka ndodhur më shumë se një dekadë.
Duke e komentuar intervistën, "Katimerini" shkroi se "nga ajo që e thekson Poposki, nuk duket se do të ketë diçka spektakulare në bisedimet me palën greke".
Por, një burim diplomatik në Athinë e ka vlerësuar këtë vizitë si të rëndësishme, duke theksuar se do të kontribuojë për avancim të mëtejshëm të klimës në relacionet midis dy vendeve.
Në paralajmërimin e djeshëm për vizitën e ministrit të Maqedonisë në Athinë,
"Katimerini" shkroi se në krye të agjendës në bisedime ndërmjet Poposkit dhe Koxias "pritet të bisedohet kontesti i gjatë ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë lidhur me emrin zyrtar të këtij vendi ballkanik, së bashku me krizën e emigrantëve e cila çoi deri në atë që Maqedonia ta shtrëngojë kufirin e vet me Greqinë".
