Maqedoni

Përurohen rrugë në fshatin Nepreshten dhe Glloxhë të Komunës së Tearcës

17.12.2015 12:44

Zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Nimetulla Halimi, kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani, kanë përuruar dy rrugë në Komunën e Tearcës, rrugën në fshatin Nepreshten dhe në fshatin Glloxhë...

Në këtë rast, zëvendësministri Alimi theksoi se Ministria e Transportit do të vazhdojë më mbështetjen e komunave për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
 
“Ne si Ministri e Transportit dhe Lidhjeve në bashkëpunim me pushtetin vendor, me kryetarin e komunës, ndihmuam në investimet në këtë pjesë të rrugës. Si Ministri e Transportit investuam në vlerë prej 9 milion denarë dhe konform kërkesave të qytetarëve arritëm që sot këtë pjesë të rrugës ta bëjmë realitet. Normalisht nuk do të ndalemi këtu, do të vazhdojmë edhe me investime tjera në Komunën e Tearcës në bashkëpunim normalisht, duke vënë në prioritet kërkesat e komunës apo të qytetarëve të kësaj komune. Rruga në fshatin Glloxhë, që lidh vendbanimet Tearcë, Përshevcë dhe Glloxhë, kap vlerën prej 27 milion denarësh”- deklaroi zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Nimetulla Halimi.
 
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Tearcës u shpreh se bashkëpunimi me pushtetin qendror do të vazhdojë në realizimin e projekteve të ndryshme.
 
“Ne si komunë në bashkëpunim me pushtetin qendror dhe duke pasur parasysh kërkesat e qytetarëve, banorëve të fshatit Neproshten, ju kemi dalë në ndihmë dhe falë bashkëpunimit pushtet-vendor dhe pushtet-qendror, sot jemi dëshmitarë të një ngjarjeje, e cila u konkretizua dhe u realizua. Kështu që ne i përgëzojmë edhe banorët e këtij fshati për rrugën kryesore të këtij fshati, që më në fund u bë realitet dhe u asfaltua, atë që e potencoi edhe zëvendësministri, rrugën në vlerë prej 9 milion denarësh. Kështu që si komunë ne në këtë vendbanim, duke pasur parasysh kërkesat edhe në të kaluarën që kanë qenë, me një fjalë në mandatin tim dhe periudhën gjashtëvjeçare janë realizuar: ujësjellësi për këtë vendbanim, ngrohja qendrore në këtë shkollë, fusha e sportit, rrugica dhe rruga kryesore që sot ne e përurojmë. Vlera e përgjithshme arrin vlerën mbi 760 mijë euro për këtë vendbanim"- theksoi kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani.
 
Ndryshe, delegacioni i BDI-së vizitoi edhe NP “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura”, ku u njoftuan për investimet që janë bërë në infrastrukturën hekurudhore.
 
REXHEP QAMILI