Basketboll

Golden State kthehet te fitoret

17.12.2015 13:29

Golden State ringrihet menjëherë pas humbjes kundër Milwaukee. “Luftëtarët” dhuruan një paraqitje spektakolare kundër Phoenix Suns...

Golden State ringrihet menjëherë pas humbjes kundër Milwaukee. “Luftëtarët” dhuruan një paraqitje spektakolare kundër Phoenix Suns duke fituar me rezultatin 128-108 në një ndeshje ku Klay Thompson regjistroi 43 pikë.
 
Për shtatlartin kalifornian, ky është maksimumi i pikëve në një ndeshje të këtij sezoni. Por nëse Golden State u rikthye në rrugën e sukseseve, situata nuk duket aspak e mirë për Brooklyn Nets që regjistroi humbjen e 18 në 25 takime të zhvilluara këtë sezon. Skuadra nga New York u dorëzua përballë Miami Heats 104-98 ku Wade realizoi 28 pikë duke marrë për dore ekipin nga Florida.
 
Ndërkohë, Oklahoma po tregon rritje të vazhdueshme pasi arriti fitoren e radhës kundër Portland falë 24 pikëve të Kevin Durant. Spektakolare rezultoi edhe sfida mes Orlando Magic dhe Charlotte ku vendasit dominuan 113-98. Periudhë negative edhe për Boston që ra në sfidën kundër Detroit 119-116 ku Isaiah Thomas shënoi 38 pikë, ndërsa Atlanta kaloi lehtësisht Philadelphian 127-106.
 
Në Kaliforni, Los Angeles Clippers respektuan parashikimet duke mundur 103-90 Miwaukee Bucks, ndërsa Chicago fitoi me vetëm tre pikë diferencë 98-95 takimin përballë Memphis. Në dy sfidat e tjera, San Antonio kaloi 114-95 Washington, New York-Minnesotta u mbyll në shifrat 107-102 ndërsa New Orleans-Utah përfundoi 104-94.