Botë

Armë për Tajvanin, Kina thërret të dërguarin e SHBA në Pekin

17.12.2015 16:28

Kina ka thirrur për sqarim të ngarkuarin me punë të Shteteve të Bashkuara në Pekin, në shenjë proteste ndaj njoftimit të Uashingtonit se, do t’i shesë dy luftanije Tajvanit...

Zv.ministri i Jashtëm kinez, Zheng Zeguang zhvilloi një takim me Kaye Lee, i ngarkuari me punë i administratës amerikane. 
 
Marrëveshja e armëve SHBA-Tajvan, me vlerë 1.8 miliardë dollarë, vjen në një kohë kur tensionet në Azi janë rritur për shkak të pretendimeve të Kinës në Detin e Jugut. Nga ana e tij, Tajvani i shprehu mirënjohje Uashingtonit për ndihmën e ofruar në fushën e mbrojtjes. 
 
Kina e sheh Tajvanin si një provincë autonome që një ditë do të bashkohet sërish me “tokën mëmë”, sidomos tani që marrëdhëniet mes tyre janë ngrohur. 
 
Liderë nga të dyja vendet u takuan muajin e kaluar, për herë të parë që nga fundi i luftës civile të vitit 1949. Por Kina ruan të drejtën e përdorimit të forcës në rast se Tajvani përpiqet të sigurojë pavarësinë. 
 
Në një deklaratë zyrtare thuhet se zoti Zheng i ka thënë bashkëbiseduesit se, “Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës dhe se kundërshton fuqishëm blerjen e armëve nga Shtetet e Bashkuara”. 
 
Në të thuhet gjithashtu se, marrëveshja ka dëmtuar seriozisht sovranitetin e Kinës dhe interesat e sigurisë, si dhe paralajmërohet sanksionimi i kompanive amerikane të përfshira në të. 
 
Nga ana e tij, Uashingtoni zyrtar deklaroi se marrëveshja, e para në 4 vjet, ishte diccka normale në kuadër të politikës së tij afatgjatë furnizimit me armë të Tajvanit. 
 
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë cënuar në vitet e fundit për shkak të ndërtimit nga qeveria e Pekinit të ishujve artificialë në zonën e diskutuar detare të Detit të Jugut./Top Channel