Bruksel, kriza e emigrantëve dominon Samitin e BE-së

17.12.2015 16:49

Kriza e emigrantëve do të jetë në fokusin e Samitit të fundit të BE-së për vitin 2015, që mbahet sot dhe nesër në Bruksel...

Gjermania dhe shumë vende të tjera do të zhvillojnë bisedime me Turqinë lidhur me një propozim për risistemimin e sirianëve direkt nga kampet në Turqi. Por, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila është mbështetësja kryesore e këtij plani, përballet me rezistencë nga shtete të tjera të BE-së.

Një numër rekord njerëzish kanë mbërritur në Evropë gjatë këtij viti, duke shtyrë shumë vende të ngrenë gardhe e të shtojnë kontrollet në kufi, diçka kjo që bie në kundërshti me marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Shengen.

Propozimi për risistemimin e refugjatëve parashikon pranimin e refugjatëve sirianë në vendet e BE-së direkt nga Turqia, mbi bazën e një skeme vullnetare. Shpresohet që plani do të ndikojë në parandalimin e udhëtimeve të rrezikshme në det dhe që do të pranohet më me lehtësi nga anëtarët e BE-së, se sa kuotat e detyrueshme.

Turqia dhe liderët evropianë arritën një marrëveshje muajin e kaluar, mbi bazën e së cilës Ankaraja do të përpiqet të frenojë fluksin drejt Evropës, në këmbim të ndihmave financiare e koncensioneve politike.

Lufta kundër terrorizmit pritet të jetë gjithashtu një tjetër çështje që do të trajtohet gjatë takimit, pas shqetësimeve që gjeneroi zbulimi, se të paktën dy nga agresorët e Parisit kishin përshkuar itinerarin e emigrantëve për të udhëtuar drejt Francës. (Gazmend Rexhepi, TVM2)