Putin për Turqinë: Nuk ka shanse për përmirësimin e marrëdhënieve

17.12.2015 16:53

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Turqisë lidhur me rrëzimin e avionit luftarak rus muajin e kaluar...

Në konferencën vjetore për shtyp, Putin deklaroi se nuk ka shanse për përmirësimin e marrëdhënieve me Turqinë nën drejtimin e liderëve aktual të saj.

“Rrëzimi i avionit tonë nga Turqia ishte një akt armiqësor, sepse ne kishim viktima. Liderët turq flasin për islamizimin e vendit të tyre. Nuk them nëse kjo është gjë e mirë apo e keqe, sepse ata ndoshta kanë vendosur t’i tregojnë Amerikës dhe BE-së se vërtetë ne po e islamizojmë vendin, por ne jemi myslimanët modern e të civilizuar. Ne jemi islamistë, por jemi në anën tuaj. Në nivel ndërkombëtar, nuk shoh ndonjë perspektivë në rregullimin e marrëdhënieve me Turqinë, përveç nivelit humanitar mes dy popujve”- tha presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Rusia vendosi trupat e saj në Siri në shtator në mbështetje të presidentit, Bashar al Assad, dhe që prej atëherë ka kryer një seri sulmesh ajrore ndaj kundërshtarëve të tij. Kjo ndërhyrje është kritikuar ashpër nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Gjirit Arab.

Putin aktualisht ndodhet në mandatin e tij të tretë në krye të Rusisë, që prej vitit 2000. Kritikët thonë se të drejtat dhe liritë civile janë shtypur sistematikisht nga pushteti i tij, por fakt mbetet se ai vijon të jetë një ndër liderët më të fuqishëm të botës, duke u renditur në krye të listës së revistës “Forbes”. (Leunora Kaliqi, TVM2)