Protesta në Tetovë, kërkohet zgjidhje për ndotjen enorme të ajrit
Protestuesit kundër ndotjes së ajrit në Tetovë kanë bllokuar të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe kërkojnë nga Qeveria mbylljen e “Jugohromit” dhe zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit...

Mijëra qytetarë të Tetovës dhe rrethinës sot kanë shprehur revoltën e tyre kundër ajrit alarmues të ndotur në qytetin e Tetovës. Ata kanë mbajtur në duart e tyre pankarta të ndryshme të shkruara “Duam ajër të pastër për Tetovën”, “Stop ‘Jugohromit’ një herë e përgjithmonë”.
Qytetarët thonë se ndotja në përmasa alarmante për çdo ditë po helmon tetovarët.
“Ne çdo ditë thithim vdekjen, nuk kemi ajër, çdo gjë që patëm na e shitën, edhe ajrin më në fund edhe atë e shitën. Ne duhet të vetëdijesohemi ashtu siç kemi votuar, ashtu çdo ditë të kemi protesta më masovikisht”- deklaroi një qytetar.
“Duhet të protestohet në këtë mënyrë, përndryshe na helmuan të gjithë popullin”- tha një qytetar.
“Të ndjekim porosinë e nxënësve, porosi më e mirë nuk ka se ajo, ne vetëm mund të prishim atë”- theksoi profesori universitar, Abdylmenaf Bexheti.
“Si duket populli nuk e ka kuptuar se është një helmim total këtu, nuk e di a në bazë partiake, çka bëhet këtu? Shqiptarët duhet të marrin në mënyrë serioze këtë, sepse kjo është diçka e paparë”- u shpreh një qytetare.
Organizatorët e protestës së sotme theksuan se do të përkrahin çdo protestë që do të organizohen kundër ndotjes së ajrit edhe në ditët e ardhshme.
“Si organizata, Lëvizja ‘Nëna dhe fëmija’ dhe ‘Eko Guerilla’ dhe shumë grupe tjera të interesit kanë protestuar disa herë, që të tregojnë pakënaqësinë lidhur me ndotjen në Tetovë. Ditët e fundit ka qenë situatë shumë alarmante, vlerat kanë qenë shumë të larta, prandaj ne paralajmërojmë protestë deri sa nuk shohim se do të bjerë në normat e lejuara”- u shpreh Igballe Ferati-Preshova nga “Nëna dhe fëmija”.
Në fund protestuesit u ndanë në mënyrë të qetë, por disa prej tyre u drejtuan në drejtim të Komunës së Tetovës, ku kanë hedhur vezë në drejtim të komunës, prandaj për disa çaste ka pasur edhe shtyrje në mes protestuesve dhe policisë.
Ndërkohë, nesër paralajmërohen protestat e radhës me bllokim të çdo institucioni shtetëror që vepron në Tetovë. (Visar Sadiki, TVM2)
