Qeveria shpalos projektin “Blej shtëpi”, do të subvencionohen kredi për blerjen e shtëpive

17.12.2015 18:06

Qeveria, nga një shkurti i vitit të ardhshëm nis projektin e ri ”Blej shtëpi”...

Me këtë projekt qeveria parashikon që t’u ndajë subvencione të gjithë të rinjve të cilët dëshirojnë të marrin kredi në vlerë maksimale prej 50 mijë eurosh. Subvencionet do të jepen për 11 vite nga gjithsej 20 për aq sa duhet t’i kthehet kredia bankës.

Modeli i parë ka të bëjë me subvencionim të 80% të këstit mujor për tetë vite, ndërkaq tre vitet e tjera kësti mujor do të subvencionet me 50%. Nëntë vitet tjera do të paguhen nga kredimarrësi. Modeli i dytë parashikon subvencionim të 100% të mjeteve për pjesëmarrje të kredisë.

“Subvencioni do të vlejë për blerjen e shtëpive të reja të cilat ndërtohen nga kompanitë e ndërtimit, me qëllim që më pas të shiten. Subvencionet mund t’i marrin persona të cilët dëshirojnë të ndërtojnë shtëpi në truallin e tyre ose rindërtim të shtëpisë. Me këtë mënyrë vëmë në fokus ndërtimtarinë në vend për të bërë këtë sektor më profitabil dhe për të hapur vende të reja të punës”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.        

Sipas kryeministrit, Nikolla Gruevski, subvencionet të cilat i ndan qeveria janë të pakthyeshme. Kriteret për të aplikuar janë të njëjta sikurse në projektin paraprak “Blej shtëpi, blej banesë”, përpos kufizimeve në moshë dhe mospasje të pronës tjetër.          

“Shfrytëzuesit e kredisë të jenë të moshës deri në 35 vjet. Të ardhurat mujore do të duhet të arrijnë vlerën prej 900 euro për një person, ndërkaq 1 mijë e 300 euro nëse bëhet fjalë për çift. Personat të cilët duan të jenë pjesë e këtij projekti nuk duhet të posedojnë shtëpi tjetër apo banesë. Kërkuesi i kredisë nuk duhet të ketë marrë kredi tjetër për shtëpi apo banesë”- tha kryeministri, Nikolla Gruevski.    

Normat e interesit do të jenë 3.9% tre vitet e para, 4.4% vitin e katër dhe të pestë. Pas kësaj normat e interesit i përcakton banka, të cilat nuk duhet të jenë më të larta nga kreditë e tjera banesore apo të shtëpive.

Paratë për projektin janë parashikuar në buxhet, por varësisht nga interesimi i qytetarëve do të bëhen ndryshime me rebalanc të buxhetit. Paralelisht me këtë projekt do të zhvillohet edhe projekti “Blej shtëpi, blej banesë”. (Meral Ismaili, TVM2)