Komisioni Anketues: Shilegov pamundësoi dëshminë e Stavreskit
Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet ndërpreu seancën në të cilën duhej të dëgjohet ministri i Financave, Zoran Stavrevski...

Kreu i Komisionit, Petre Shilegov, ndërpreu seancën menjëherë pas miratimit të rendit të ditës, me arsyetimin se anëtarët e VMRO-së kanë futur në rend dite një pikë shtesë, që sipas tij është në kundërshtim me rregulloren për punë, si dhe për arsyen se aktorët kyç në përgjime kërkojnë që dëgjimi të bëhet në seanca të mbyllura.
“Pjesëmarrësit kyç dhe kryesorë në skandalin me përgjimin në RM zgjedhin që të paraqiten në seanca të mbyllura. Seancat e Komisionit Anketues, siç duket, dikush mendon se duhet të kalojnë formalisht dhe Komisionin Anketues ta shndërrojmë në farsë. E ndërpres seancën, ndërsa vazhdimin do ta caktoj sërish”- deklaroi kryetari (LSDM), Petre Shilegov.
Mirëpo anëtari i Komisionit nga radhët e VMRO-së, Antonio Milloshoski, thotë se pika që futën në rend dite kishte për qëllim që të konstatohet se listat me dëshmitarë të parashtruara në Komision janë ezauruar.
“Dikush kishte planifikuar paraprakisht ndërprerjen e seancës. Qëllimi ishte që sot të mos konstatohet se listat e para të parashtruara janë shterë. Ky ishte qëllimi kryesor, i cili me ndërprerjen e seancës u realizua, ose dikush e realizoi”- tha Antonio Milloshovski (VMRO).
Ndërkaq, ministri i Financave, Zoran Stavrevski, i cili u paraqit në Kuvend për të dëshmuar para Komisionit, tha se vendimi i tij që të dëshmojë në seancë të mbyllur është në harmoni me vendimin për themelimin e Komisionit Anketues.
“Vendimi im është në harmoni me dispozitat e vendimit për zgjedhjen e Komisionit Anketues, me qëllim që Komisioni Anketues të punojë profesionalisht dhe punën e tij ta realizojë në formë efikase”- theksoi ministri i Financave, Zoran Srtavrevski.
Stavreski ishte dëshmitari i dytë që u paraqit për të dëshmuar para Komisionit Anketues, dy ditë pas dëshmisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski. Komisioni konstatoi se thirrjes së Komisionit Anketues nuk iu përgjigjën katër dëshmitarët e tjerë: Gordana Jankullovska, Mile Janakievski, Sasho Mijallkov dhe Martin Protuger. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
