Ministri Izairi takon kryetarët e komunave me ndotje të lartë
Për ndotjen e ajrit është folur edhe në takimin që ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, mbajti me kryetarët e komunave të qytetit të Tetovës, me atë të Shkupit, Koce Trajanovskin, dhe të Mastirit, Vladimir Talevski, si dhe me përfaqësuesit e komunave të Tetovës, Kavadarit dhe Kërçovës...

Duke pasur parasysh kompleksin e problemit me paraqitjen e përqendrimeve të larta të grimcave PM10, veçanërisht gjatë dimrit, gjë që është shqetësuese në lidhje me shëndetin e njerëzve dhe për zgjidhjen e të cilit problem nevojitet qasje e inspektorëve dhe bashkëpunim mjaft i fuqishëm midis pushtetit lokal dhe qendror. Mbledhja u thirr me qëllim të shkëmbimit të mendimeve në lidhje me tejkalimin e problemit, si dhe që të prezantohen përfitimet nga projekti aktual “Tving”.
“Përforcimi i mëtejshëm i kapaciteteve për harmonizimin e rregullativës për ajrin”- thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas këtij njoftimi, në kuadër të këtij projekti u hartua plani për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Shkup dhe Tetovë, dhe plane aksionare afatshkurta në rastet kur përqendrimet e substancave ndotëse të matura i tejkalojnë pragjet alarmuese. Përfitimet më të mëdha të këtyre planeve janë që me to, përmes analizave kimike, do të definohen saktë burimet e ndotjes prej nga do të dalin edhe nevojat e masave afatgjate për përmirësimin dhe mbrojtjen e cilësisë së ajrit.
Nga ana tjetër, në planet aksionare afatshkurtra do të vendoset mënyra e komunikimit midis institucioneve relevante dhe publikut, dhe në dialog me NJVL do të precizohen masat afatshkurtra të cilat janë realisht të zbatueshme në komunat përkatëse. Pritet analizat të përfundojnë deri në prill, ndërsa planet e plota deri në shtator të vitit të ardhshëm.
