Shpresa Hadri: Qeveria të mbyllë urgjentisht “Jugohromin”

17.12.2015 19:16

Ndotja e ajrit ishte temë debati edhe në kuvend...

Deputetja e BDI-së, Shpresa Hadri, kërkon mbylljen urgjente të “Jugohromit” deri në përmbushjen e obligimeve ligjore, pra deri në vendosjen e filtrave.

Është detyrë e institucioneve shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe parandalimin e ndotjes së mëtejshme. Kjo detyrë para së gjithash është obligim kushtetues, përkujton Hadri. 

“Dua qartë dhe publikisht, si tetovare dhe përfaqësuese e tyre, të shpreh bindjen time dhe të bashkëqytetarëve të mi, se kombinati ‘Jugohrom’ duhet urgjentisht të mbyllet deri në plotësimin e standardeve. Duhet rikujtuar vendimi i qeverisë për prolongimin e afatit për vendosjen e filtrave, të datës 31 tetor 2014. Ku ndër të tjera parashihen kontrolle në terren nga Inspektorati për shkallën e realizimit të punëve. Në vendim thuhet se nëse vërtetohet mosrealizim i punimeve, obligohet Ministria e Ekologjisë të paraqesë raport të detajuar e të japë propozim për mbylljen e ‘Jugohromit’. Marrë parasysh këtë rekomandim, i bëj thirrje qeverisë, e në veçanti kryeministrit, të respektojë vendimin e miratuar nga vetë qeveria dhe mbi të gjitha duke respektuar kushtetutën, e përfundimisht të mbyllë ‘Jugohromin’ deri në plotësimin nga ana e fabrikës të obligimeve ligjore”- deklaroi deputetja e BDI-së, Shpresa Hadri.