Maqedoni

Poposki në konferencën ministrore për Ballkanin Perëndimor në Stokholm

18.12.2015 09:36

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki sot në Stokholm do të marrë pjesë në konferencën ministrore për vendet e Ballkanit Perëndimor...

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki sot në Stokholm do të marrë pjesë në konferencën ministrore për vendet e Ballkanit Perëndimor, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Margot Ualstrom dhe eurokomisarin Johanes Han, me temë "Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE - Mision i cili duhet të përfundojë".
 
Konferenca do t'i kushtohet zgjerimit të Bashkimit Evropian, integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe bashkëpunimit rajonal. Qëllimi i ngjarjes në Stokholm është të promovohet roli i rëndësishëm i zgjerimit, si një prej politikave më të suksesshme të BE-së në vendosjen e paqes në rajon si dhe në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal pas viteve të konfliktit në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për integrimin më të shpejtë dhe tejkalimin e çështjeve të hapura në rajon, kumtoi MPJ.
 
Në konferencë do të vlerësohet edhe rezultati i raporteve të BE-së për progresin dhe reformat e zbatuara në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe mundësitë për integrimin e tyre më të shpejtë në BE, nga perspektiva e Komisionit Evropian dhe Suedia.
 
Konferenca organizohet me nismën e Ambasadës në Stokholm në bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë dhe Zyrën e Komisionit Evropian në Suedi./Mia