Botë

Bashkimi Evropian, liderët: Të përshpejtohen forcat e reja kufitare

18.12.2015 12:11

Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimin në Bruksel, që përfundoi mbrëmë vonë, kanë shprehur pajtueshmëri për krijimin e Forcës kufitare dhe bregdetare të Bashkimit Evropian...

Liderët kanë vendosur që deri  në gjysmën  e vitit të ardhshëm të pajtohen për detajet e forcës së re kufitare, e cila ishte propozuar nga Komisioni Evropian më herët, këtë javë.
 
Disa liderë, përfshirë kryeministrin grek, Alexis Tsipras, kanë sinjalizuar se dëshirojnë ta largojnë elementin e propozimit, i cili i mundëson Brukselit, që pjesëtarët e kësaj force të re t’i dërgojë në vendet anëtare pa marrëveshje me to.
 
Greqia dhe Italia janë nën presion që të bëjnë më tepër për menaxhimin dhe identifikimin e emigrantëve që arrijnë në këto vende.
 
Qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, në përgjithësi, ende pritet t’i zbatojnë premtimet për t’i ndihmuar azilkërkuesit, që tashmë kanë hyrë, dhe për t’i dëbuar emigrantët ekonomikë të padëshiruar.