Botë

Përplasja me Brukselin, Cameron: Ka shpresë për marrëveshje

18.12.2015 12:28

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian janë pranë gjetjes së gjuhës së përbashkët sa u takon kërkesave të Londrës mbi një sërë çështjes...

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian janë pranë gjetjes së gjuhës së përbashkët sa u takon kërkesave të Londrës mbi një sërë çështjes, duke filluar që me benefitet për emigrantët brenda BE-së dhe lëvizjen e lirë.
 
Kryeministri, David Cameron, deklaroi pas një darke pune me 27 udhëheqësit e tjerë të vendeve të BE-së se arritja e një marrëveshjeje është e mundur brenda muajit shkurt, kur edhe përfundon afati i dhënë prej tij. Në të kundërt, ai do të ftojë britanikët në fund të 2017-ës në një referendum për të qëndruar ose jo në Union.
 
“Komisioni Evropian beson që ka zgjidhje, jo kompromise, por zgjidhje. Por, propozimi ynë mbetet në tryezë. Po negociojmë dhe janë negociata të vështira, frazat që u përdorën janë shumë interesante për ne”- deklaroi kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron.
 
Palët duket se kanë përafruar qëndrimet dhe kjo u kuptua edhe nga deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila nuk përjashtoi as ndryshimet në Traktatin e Lisbonës.
 
“Jam optimiste. Të gjithë liderët duan një marrëveshje, por duhet të punojmë më shumë në thelb të saj. Ndryshimet e Traktatit janë të mundshme, por jo tani, ndoshta në një kohë të mëvonshme”- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
 
Më i drejtpërdrejtë u tregua presidenti francez, Hollande.
 
“Mund të ketë disa korrigjime në kërkesat e Cameron, por rregullat dhe parimet e Bashkimit Evropian duhet të respektohen nga të gjithë”- theksoi presidenti i Francës, Francois Hollande.
 
Britania ka ngritur katër shqetësime në tavolinën e bisedimeve, përfshirë ndalimin për një afat prej katër vitesh të benefiteve për të gjithë shtetasit e vendeve të tjera të BE-së që punojnë në Britaninë e Madhe. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI