Botë

Këshilli i Sigurisë në OKB, miratohet rezoluta që frenon financimin e ISIS-it

18.12.2015 13:11

Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka miratuar unanimisht një rezolutë me synimin për të ndërprerë të ardhurat që grupi ekstremist i “Shtetit Islamik"...

Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka miratuar unanimisht një rezolutë me synimin për të ndërprerë të ardhurat që grupi ekstremist i “Shtetit Islamik” siguron prej shitjes së naftës dhe antikuareve, haraçeve apo aktiviteteve të tjera kriminale.
 
Rezoluta e rendit grupin e ISIS-it e mban në të njëjtin nivel me al-Qaedan, duke reflektuar kështu kërcënimet në rritje prej tij dhe përhapjen e rrjetit të terroristëve pas sulmeve të 11 shtatorit në ShBA.
 
“Duhet të ndërpresim transferet financiare ilegale, këmbimin e artefakteve, duhet të zgjerojmë përpjekjet për të ndaluar financimin e terrorizmit”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.
 
“Regjimi i sanksioneve dhe implementimi i kësaj rezolute janë të rëndësishme për të ndërprerë financimin e terrorizmit që na kërcënohet përmes ISIS, Al Kaedës, al-Shabaab, Boko Haram, Hezbollah, al-Nusra ose grupe të ngjashme”- tha sekretari i Thesarit–ShBA, Jacob Leu.
 
“Është një përforcim i sanksioneve të Kombeve të Bashkuara në ligjet që u lejojnë vendeve të ndalojnë udhëtimin e individëve specifikë. Ne në Britani po ndryshojmë ligjet që këto sanksione të kenë efekt të menjëhershëm”- theksoi George Osborne nga Britania e Madhe.
 
“Kjo rezolutë është shumë e rëndësishme dhe duhet të adaptohet menjëherë në ligjet e vendete të veçanta. Implementimi i saj është vendimtar”- u shpreh ministri i Financave i Francës, Michel Sapin.
 
Rezoluta urdhëron vendet të lëvizin fuqimisht dhe me vendosmëri në prerjen e fluksit të fondeve të ISIS-it. Një nga këto mënyra është edhe parandalimi i kontrabandës së naftës dhe antikuareve. Grupi xhihadist besohet të jetë më i pasuri i këtij lloji në botë, teksa një studim i fundit bën të ditur se të ardhurat mujore të tij janë rreth 80 milionë dollarë.
 
GAZMEND REXHEPI