Maqedoni

Kriza e emigrantëve, BE inkurajon Shkupin, paralajmëron ndihmë shtesë

18.12.2015 14:23

Kriza me emigrantët është krizë e përbashkët dhe përgjegjësia duhet të jetë e përbashkët nën frymën e solidarizimit. Kështu theksuan të pranishmit në konferencën rajonale mbi migracionin, duke shënuar edhe ditën ndërkombëtare të emigrantëve...

Respekti për të drejtat e njeriut dhe dinjiteti te refugjatët ka shtyrë Sekretariatin për Çështje Evropiane të ndërmerr masa adekuate në kohë dhe të bashkëpunojë me agjencitë e BE-së, theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
 
“Në përgjigje të situatës me emigrantë, shumë aktivitete janë ndërmarrë  në kohë,  përfshirë ato në takimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe angazhimin e “Fronteks”-it. Të gjithë ballafaqohemi me migracionit. Sfidat e BE-së janë edhe sfidat e Ballkanit perëndimor dhe zgjidhjet e BE-së janë edhe tonat”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
 
BE inkurajon Shkupin për përpjekjet dhe koordinimin me emigrantët, ndërkaq do të vazhdojë të jetë partner lojal në tranzitimin e refugjatëve, theksoi euroambasadori, Aivo Orav.
 
“BE tashmë ka dhënë 3 milion euro si ndihmë humanitare për shtetin. Javën e kaluar Komisioni Evropian paralajmëroi edhe 13 milion euro shtesë për Maqedoninë dhe Serbinë. BE është e gatshme të ndihmojë vendin me refugjatët, sepse respekti i dinjitetit të njeriut është prioritet i BE-së”- tha euroambasadori, Aivo Orav.
 
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, me këtë rast tha se çështja me emigrantët ka ngarkuar mjaft vendin si në buxhet ashtu edhe në menaxhim.
 
“Në gjashtë muajt e kaluar janë bërë numër i konsiderueshëm ndryshime ligjesh, me qëllim që t’ju mundësohet shtetasve të huaj te pikat kufitare t’iu njihet e drejta e azilit. Këto masa kishin dy qëllime kryesore, i pari që policia të ketë evidencë më të mirë mbi emigrantët dhe i dyti emigrantët të mund ta legalizojnë lejeqëndrimin në vend, me të cilin në disponim do të kishin edhe mjetet për transport publik”- tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
 
Maqedonia, si shtet me dy milion banorë, e ka të vështirë të ballafaqohet me rutën e emigrantëve, thanë nga zyra e UNDP-së në vend, ndërkaq koordinatorët për Ballkanin Perëndimor theksuan se përfundimet nga konferenca e sotme do të jenë të dobishme për qeverinë mbi menaxhimin dhe ndihmën për emigrantët.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU