Maqedoni
Nënë Tereza do të shenjtërohet, Papa Françesku ia njeh mrekullinë e dytë
18.12.2015 14:51
Humanistja shqiptare, Nënë Tereza, fituese e çmimit “Nobel”, do të shpallet e shenjtë në shtator të vitit 2016...

Papa Françesku miratoi dekretin për njohjen e mrekullisë pas vdekjes. Kongregacioni mbi Çështjet e Shenjtorëve bëri vlerësimin e fundit mbi mrekullinë e atribuuar Nënë Terezës mbi shërimin e plotë nga një tumor në tru, në gjendje mjaft të avancuar, të një besimtari nga dioqeza e Santos, në San Paolo të Brazilit.
Braziliani i shëruar është një besimtar i devotshëm i Nënë Terezës dhe gjatë sëmundjes së tij i ishte dedikuar thellësisht lutjes së shpëtimit nga Nënë Tereza. Kanceri, i cili kishte përfshirë pothuajse të gjithë trurin, papritmas e në mënyrë të pashpjegueshme rezultoi i zhdukur plotësisht, konfirmuar dhe nga rezonanca magnetike.
Një shërim i pamundur të shpjegohet shkencërisht, e që sipas personit të shëruar i atribuohet totalisht mrekullisë së Nënë Terezës e lutjeve të tij të pafundme ndaj aftësive e forcës së saj hyjnore. Mrekullia e parë ishte shërimi i një 30 vjeçareje nga Kalkuta, e cila deklaroi se ishte shëruar nga kanceri në stomak pasi i ishte lutur Nënë Terezës.
Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente shpjegime shkencore për shërimin e saj dhe në këtë mënyrë e quajti mrekulli. Në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II, njohu dhe mrekullinë e saj të parë pas vdekjes dhe e shpalli të lumnuar. Në ditën e ditëlindjes së tij të 79-të, Papa Françesku ratifikoi dekretin e shpalljes së Nënë Terezës “shenjtëri”.
Data e saktë e ceremonisë zyrtare të shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan do të bëhet publik gjatë ditëve të ardhshme dhe pse me shumë mundësi flitet për datën 4 shtator, e diela pranë datës 5 shtator, që njihet dhe si dita e luminimit të saj nga Papa Gjon Pali i II-të.
REXHEP QAMILI
