Dita Ndërkombëtare e Migrantëve, Mehmeti: Migrantët po diskriminohen
Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, akuzon institucionet kompetente për përballje me krizën e migrantëve, se po bëjnë diskriminim dhe nuk po respektojnë konventat ndërkombëtare e as ligjet e vendit...

Në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve, Mehmeti konstaton kushtet johumane në qendrat e pranimit të migrantëve në Gjevgjeli, Tabanoc dhe Gazi Babë. Shqetësues është fakti se kushtet e këtilla zgjasin në vazhdimësi dhe nuk ndërmerret asgjë për tejkalimin e tyre.
Gjithashtu Mehmeti konstaton diskriminim të drejtpërdrejt gjatë arkëtimit të biletave të transportit të migrantëve, si dhe shkelje të Konventës së Gjenevës për statusin e refugjatëve. Veçanërisht shqetëson gjendja me transportin e grupeve vulnerabël, të cilët për shkak të organizimit dhe koordinimit të keq janë lënë të ecin në këmbë nëpër shtigje të egra dhe me baltë, edhe pse vetëm pika e kalimit të rregullt kufitar gjendet disa metra më tej.
“Avokati i Popullit me shqetësim konstaton se në Maqedoni kryhet diskriminim ndaj migrantëve edhe atë përmes seleksionimit të tyre, të atyre që vijnë nga vatrat e krizës dhe të atyre që vijnë nga vende tjera, e që është jashtë çdo dokumenti të parashikuar ndërkombëtar dhe vendor. Ajo që shqetëson akoma më shumë është se një gjë e këtillë bëhet pa kurrfarë procedure, me çka këtyre personave në mënyrë flagrante u shkelen të drejtat”- thuhet në kumtesën e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, u bën apel institucioneve kompetente që urgjentisht të marrin masa me qëllim të plotësimit të të gjitha standardeve ndërkombëtare për pranimin, vendosjen dhe transportin e migrantëve. Asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë të dalë jashtë atyre që quhen standarde të përcaktuara për të drejtat e migrantëve, thuhet në kumtesën e Avokatit të Popullit. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
