Ndahen çmimet për sipërmarrësit e vitit, Neziri: Masat qeveritare, mbështetje për ekonominë

18.12.2015 15:27

U ndanë sot mirënjohjet për sipërmarrësit e vitit 2015 në kategoritë e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla...

Mirënjohjet paraqesin një nxitje shtesë për të inkurajuar iniciativën, kreativitetin dhe aftësinë për të planifikuar dhe menaxhuar aktivitetet dhe projektet për të arritur qëllimet e tyre të biznesit, tha me këtë rast ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

“Masat qeveritare për punësim, përmirësimi i vazhdueshëm i reformave të klimës së biznesit, reformat që vazhdimisht i ndjek qeveria dhe Ministria e Ekonomisë në veçanti, paraqesin mbështetje reale për kompanitë dhe ekonominë në tërësi, ashtu siç pasqyrohet edhe në rezultatet nga rangimi ndërkombëtar”- shtoi Neziri.

Nga OEMVP, ndërkohë, thonë se stimulimi i sipërmarrësisë është qëllimi kryesor edhe i funksionimit të saj, meqë pjesa më e madhe e anëtarësisë së OMEVP-së janë kompani të vogla dhe të mesme.

“Sot promovojmë storiet e suksesit në sipërmarrjet e vogla dhe mikro, ata sipërmarrës që dëshmuan veten dhe në këtë kohë krize ekonomike treguan se mund të tejkalohen edhe vështirësitë e mëdha që mund të hasin bizneset tona”- deklaroi Nebi Hoxha nga  OEMVP.

Çmimin e parë "Sipërmarrësi i vitit 2015" në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla e mori "Laminati Com" nga Prilepi. Në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla, çmimi i parë shkoi në duart e Elmedin Ademit nga "Screen Media" nga Tetova, ndërsa "Kala Plakat" nga Shkupi fitoi çmimin e dytë në këtë kategori. Ministria e Ekonomisë ndau edhe një çmim të veçantë sivjet, një plaket "Gruaja sipërmarrëse më e mirë e vitit 2015", që e fitoi Aneta Mustafoska e "Isiglas" nga Shkupi. (Besim Abdullahu, TVM2)