Maqedoni

Ndotja e ajrit, protestë në Tetovë, ultimatum Qeverisë për “Jugohromin” dhe deponinë

18.12.2015 16:15

Qytetarët e Tetovës dhe rrethinës ngritën sërish zërin e tyre në protestë kundër ajrit të ndotur...

Organizatorët e protestës i dhanë ultimatum qeverisë dhe komunës së Tetovës që deri më 25 dhjetor të marrin vendim për mbylljen e “Jugokromit” deri sa të plotësojë kushtet për punë, për zhvendosjen e deponisë në hyrje të qytetit dhe për heqjen nga qarkullimi të makinave që nuk plotësojnë standardet ekologjike. Nëse këto kërkesa nuk plotësohen, ata paralajmërojnë se nga java tjetër do të bllokojnë hyrje-daljet e qytetit si dhe institucionet. 
 
“Të ndërpritet menjëherë puna dhe procesi i prodhimit në ‘Jugokrom’ deri në vendosjen e plotë të filtrave. Mjaft pritëm se do vetëdijesohen, nuk u vetëdijesuan. Kjo është ultimatum! Pika e dytë, zhvendosja  e deponisë nga hyrja e qytetit të bëhet sa më parë! Dhe pika e tretë, ndalimi i qarkullimit të të gjitha automjeteve pa standarde ekologjike në qytet dhe zgjidhjen e kaosit në trafik. Kërkojmë që këto pika të realizohen më së voni deri në natën e ditës së premte, deri më datën 25 dhjetor 2015 keni afat qeveri dhe komunë”- deklaroi Arianit Xhaferi nga  “Eco Guerilla”.
 
“Ju jeni të zgjedhur me votat tona, ju që jeni përgjegjësit kryesorë, juve ju kërkojmë llogari të gjithëve një nga një. Nënat kanë një mesazh për ju, nuk na intereson kush është ndotësi, nuk na intereson çfarë masash ju do ndërmerrni, ose ndalni ju helmin, ose ne do ju ndalim juve”- tha Elmedina Abdullai nga “Nëna dhe Fëmija”.
 
“Të jetosh afër malit Sharr dhe të kesh ajrin më të ndotur në botë kjo është katastrofë e madhe. Kërkojmë dhe jam i bindur që do e fitojmë betejën që Tetova të ketë ajër të pastër për të marrë frymë dhe dashtë Zoti që kur t`ia arrijmë qëllimit do e festojmë me një koncert të madh të grupit ‘Elita 5’”- theksoi këngëtari, Arif Ziberi.
 
“Nga sot zero tolerancë, edhe për ‘Jugokromin’ edhe për deponinë, por edhe për për sjelljen e papërgjegjshme të zyrtarëve që na sollën deri në këtë shkallë”- u shpreh aktivisti në sektorin civil, Valentin Tasevski. 
 
Protestuesit u shpërndanë nga sheshi “Ilira” në mënyrë të qetë, por protesta u vazhdua nga një grup më i vogël i cili sërish iu drejtua Komunës së Tetovës. Edhe përkundër thirrjeve të organizatorëve për shpërndarje të qetë, protesta e këtij grupi vazhdoi me hedhjen e koktejeve molotovi dhe vezëve në drejtim të objektit të komunës. Policia siguroi objektin, por nuk pati incident mes tyre dhe grupit të të rinjve, të cilët më pas u shpërndanë.
 
VISAR SADIKI