Inaugurohet godina e re e SH.F “ Pashko Vasa” në Kopaçindoll, Komuna e Zhelinës

18.12.2015 16:20

U inaugurua sot godina e re e shkollës fillore periferike “ Pashko Vasa” në fsh. Kopaçindoll, Komuna e Zhelinës...

Ky objekt dykatësh është ndërtuar sipas të gjitha standardeve, dhe mbulon një hapësirë prej 405 metra katrorë. Në të gjenden 5 klasë, dy kabinete për mësimdhënësit, zyrë për mësimdhënësit, si dhe hapësira ndihmëse.

Me ndërtimin e kësaj shkolle, që nga java e ardhshme, rreth 90 nxënës nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, nuk do të udhëtojnë çdo ditë në shkollën qendrore në fshatin Grupçin, ndërsa bashkë me ta klasat do t’i ndajnë edhe nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë.

“Ne si ministri nuk do të ndalemi këtu,  do të  vazhdojmë të punojmë për aq kohë sa ka nxënës dhe mësimdhënës që zhvillojnë mësim në kushte të këqija, dhe synimi jonë primar dhe i vetëm është që të gjitha palët e veprimtarisë edukativo-arsimore të kenë të njëjtat kushte, pavarësisht nëse ato janë shkolla në zona urbane apo rurale”, theksoi me këtë rast ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.

Sipas tij nvestimi  në arsim, do të thotë  investim në të ardhmen e fëmijëve tanë. Ata kanë të drejtë të arsimohen në rrjedhën e vendeve më të zhvilluara në botë, sepse kjo është e vetmja mënyrë të dëshmojmë se prosperiteti ynë është i garantuar.