Këshilli Euroatlantik, institucionet stabile garantojnë sigurinë

18.12.2015 16:45

Vetëm institucionet stabile do të mund të garantonin sigurinë e vendit pa u kërcënuar nga terrorizmi eventual...

Kryetari i Këshillit Euroatlantik, Ismet Ramadani, në tribunën që organizoi me temë “Sfidat e sigurisë me të cilat përballet Maqedonia”, tha se institucionet stabile mund të arrihen me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës.

“Krejt ajo që është marrëveshje për t’i ndërtuar institucionet demokratike, shtetin juridik dhe për funksionimin e institucioneve kompetente, që të krijohen kushte për një demokraci dhe efikasitet të institucioneve, atëherë kuptohet se edhe rreziku është më i vogël për të ndodhë diçka e padëshirueshme në Maqedoni, sepse kriza politike ka edhe dimensionin e sigurisë”- deklaroi kryetari i Këshillit Euroatlantik, Ismet Ramadani.

Por, zëvendësministri i Mbrojtjes, Ilmi Selami, tha se Maqedonia ka nevojë për një bashkëpunim më të gjerë për t’i rezistuar rreziqeve nga terrorizmi. Sipas tij, integrimi në NATO është më se i nevojshëm.

“Rreziqet më të reja tregojnë se shtetet vetë nuk mund t’ia dalin në krye me rreziqet që paraqiten, andaj është i nevojshëm një bashkëpunim më intensiv mes shteteve, është i nevojshëm një bashkëpunim më intensiv edhe me BE-në dhe më gjerë në drejtim që t’u dalim mbanë këtyre rreziqeve”- tha zëvendësministri i Mbrojtjes, Ilmi Selami.

Profesori, Stevo Pendarovski, hodhi poshtë pretendimet se kriza me emigrantët mund të jetë kërcënim për terrorizëm për Evropën, e aq më pak ajo të identifikohet me islamin.

“Kërcënimet më të mëdha terroriste nuk kalojnë dhjetëra kufij me ditë dhe javë që të krijojnë problem sigurie në cilindo shtet evropian. Kërcënimet terroriste nuk kanë religjion dhe nuk kanë ngjyrë etnike. Gjithmonë bëhet fjalë për njerëz me emër dhe mbiemër dhe më pas shikohet religjioni dhe kombësia”- theskoi profesori, Stevo Pendarovski.

Pendarovski tha se shteti do të duhet që t’i ndërmerr të gjitha masat dhe të vë nën kontroll personat të cilët kthehen nga zonat e luftës. Sipas Pendarovskit, ata mund të paraqesin rrezik për sigurinë e shtetit. (Meral Ismaili, TVM2)