Çarshia e Vjetër, Ministria e Ekonomisë rinovon 60 dyqane

18.12.2015 17:12

20 grande në vlerë të përgjithshme të 45 mijë eurove u dhanë për 20 kompani në Çarshinë e Vjetër në Shkup...

Grandet në kuadër të projektit të financuar nga fondet IPA janë vetëm pjesa e parë e 60 të tillëve që do të jepen me qëllim të përmirësimit të  imazhit të dyqaneve të Çarshisë. Ministria e Ekonomisë dhe Shoqata e Esnafit nënshkruan marrëveshje për zbatimin e projektit për rregullimin e vitrinave dhe mbishkrimeve në 60 dyqane të Çarshisë së Vjetër, me çka do të fillojnë aktivitetet për realizimin e projektit “Rregullimi i vitrinave të Çarshisë”.

“Duke konsideruar specifikat e Komunës së Çairit, ne i dhamë një theks të veçantë këtij bashkëpunimi dhe zhvillimit të zejeve dhe aktiviteteve të ndryshme për përkrahjen dhe forcimin e turizmit dhe potencialit kulturor në Çarshinë e Vjetër”- deklaroi përfaqësuesi i BE-së, Martin Glauk.

“Realizimi i këtij projekti ka rëndësi të shumëfishtë. E para dhe kryesorja, ai u mundëson ndërmarrësve të Çarshisë që ta përmirësojnë unifikimin dhe njohjen e zejeve të tyre. Me këtë mënyrë jam i bindur se u zmadhua qëndrueshmëria afatgjate e biznesit të tyre, si dhe siguria sociale e familjeve të tyre”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Me këtë projekt që Ministria e Ekonomisë e ka paraparë në Programin për zhvillimin e turizmit për vitin 2015, synohet rikthimi i pamjes autentike të Çarshisë së Vjetër, si dhe ruajtja e vlerave kulturore të saj. Me këtë projekt, përveç zbukurimit të Çarshisë, do të arrihet edhe nxitje e zhvillimit ekonomik”- theksoi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

“Në sistemin e kaluar, kur sistemi ishte aso kohe sistem i vjetër, kontributin më të madh për shoqërinë e kishte esnafi. Tash erdhi koha që esnafi njëherë ta shijon ndihmën e pushtetit, që ne të fillojmë një projekt të mirëfilltë, t’i ndryshojmë vitrinat, t’i ndryshojmë mbishkrimet, tendat dhe Çarshia të merr një komplet pamje tjetër”- u shpreh kryetari i Esnafit, Bejtullah Morina.

“Qëllimi kryesor i projektit është valorizimi i zejeve në Çarshinë e Vjetër, duke kontribuar kështu në zhvillimin e Çarshisë”- potencoi koordinatori i projektit, Norik Selimi.

Faza e parë e këtij projekti do të fillojë në ditët në vijim, ndërsa shuma e përgjithshme e fazës së parë është 450 mijë euro. (Ersan Pajaziti, TVM2)