LeBron mposht Durant dhe dërgon një tifoze në spital

18.12.2015 17:15

Lebron James fitoi sfidën kundër Oklahoma City të Kevin Durant...

Në tre sfidat e vetme të luajtura gjatë natës mes të enjtes dhe së premtes në NBA-in amerikan, Cleveland Cavaliers mposhtën 104-100 Thunders, duke regjistruar suskesin e 13-të radhazi.

Kjo ndeshje konfirmoi momentin pozitiv të skuadrës së David Blatt, që u udhëhoq drejt suksesit nga i jashtëzakonshmi Lebron, i cili realizoi 33 pikë, dha 11 asist dhe rikuperoi 9 topa nën tabelë. Paraqitja e shkëlqyer e King James u shoqerua edhe me një episod për t’u veçuar. Në tentativën për të rikuperuar një top, basketbollisti që peshon 110 kilogramë ra përsipër Ellie Day, bashkëshortes së kampionit të golfit Jason, që po ndiqte ndeshjen në radhën e parë. Tifozja u shoqërua me barelë në spital, por fatmirësisht nuk pësoi lëndime serioze.

Në anën tjetër Oklahoma-s nuk i mjaftuan 25 pikët e Durant dhe 27 nga Russell Westbrook, që dha edhe dhjetë pasime për kosh. Në dy sfidat e tjera, Houston Rockets triumfoi me lehtësi në fushën e Los Angeles Lakers, me shifrat 107-87. Kobe Bryant me 22 pikë, 3 asist dhe 8 topa të rikuperuar nën tabelë nuk arriti të linte në hije Harden autor të 25 pikëve dhe Dwight Hoëard që shënoi 16 pikë.

Sukses vetëm në kohën shtesë për Charlotte Hornets përballë Toronto Raptors. 109-99 ishte rezultati final i sfidës, ku Jeremy Lin u shfaq i papërmbajtshëm me 35 pikë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Kemba Walker realizoi 27. Te Raptors spikatën DeMar DeRozan me 31 pikë dhe Bismack Biyombo me 18 topa të rikuperuar nën tabelë.