Euroleague: Ende 3 bileta në lojë, Grupet B e C mbyllin llogaritë

18.12.2015 17:21

Ka përfunduar mbrëmë java e 9-të dhe e parafundit e fazës së parë në grupe e Euroleague në basketboll për meshkuj. Kur ka mbetur edhe një javë për t’u luajtur, ka shkuar në 13 numri i skuadrave të kualifikuara për në fazën tjetër...

Në Grupin B dhe C gjithçka është e mbyllur, duke përcaktuar 4 skuadrat e para, ndërkohë që janë ende dy vende për t’u caktuar në grupin A dhe një në Grupin D. Në afzën tjetër kualifikohen 4 ekipet e para të çdo grupi.

Në Grupin A, fitorja e dytë radhazi për kampionët në fuqi të Real Madrid, që mposhtën 86-67 gjermanët e Bayern Mynih në fushën e këtij të fundit.

22 pikët e Ayon dhe 18 të Llull bënë që spanjollët të ngjiten në vendin e tretë provizor dhe të shpresojnë për t’u kualifikuar më tej. Shpreson edhe Crvena Zvezda, që gjithashtu si dy skuadrat e mësipërme ka 8 pikë, duke bërë që java e fundit ët jetë vendimtare për fatin e këtyre tri ekipeve.

Në Grupet B dhe C gjithçka e zgjidhur për sa u përket skuadrave të kualifikuara në fazën tjetër. Olympiacos, Anadolu Efes, Laboral Kutxa  dhe Cedevita Zagreb kanë zënë katër vendet e para në Grupin B. Ndërsa Lokomotiv Kuban, Barcelona, Panathinaikos dhe Zalgiris Kaunas janë katër ekipet e kualifikuara në Grupi C. Në Grupin D, ende një biletë për t’u dhënë, në një sfidë midis Stamboll dhe Maccabi, me turqit të favorizuar, pasi kanë 8 pikë kundrejt 6 të izraelitëve.