Reagon Komuna e Tetovës: Përkrahim të drejtën qytetare, dënojmë dhunën

18.12.2015 18:09

Komuna e Tetovës përkrah fuqishëm mesazhin dhe vullnetin e pakontestueshëm të qytetarëve në të drejtën elementare për ajër të pastër, por dënon çdo akt dhune ndaj institucioneve...

“Si edhe dje, edhe gjatë protestës së sotme ishte evidente dëshira dhe tendenca e individëve apo grupeve të caktuara që në mënyrë të fshehur dhe aspak burrërore të keqpërdorin fëmijët për të shtyrë para agjenda apo ide, që aspak nuk kanë të bëjnë me luftën e qytetarit tetovar për ajër. Andaj bëjmë apel dhe thërrasim në përgjegjësi të gjithë ata, që në petkun e rrejshëm të ekologjistëve, manipuluan fëmijë të mitur që të hedhin bomba molotovi ndaj objektit të komunës, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të qytetarëve, që sot me të vërtetë kishin dalë për të protestuar me një ide dhe qëllim shumë fisëm dhe të drejtë. Komuna e Tetovës gjatë protestës së sotme në shenjë përkrahjeje jo vetëm deklarative, gjithashtu siguroi ndihmë teknike dhe ofroi rrymë për organizatorët e protestës, duke vlerësuar se lufta për ajër është një luftë e përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjithë nesh, deri në arritjen e qëllimit përfundimtar.  Mirëpo organizimi dinjitoz dhe i suksesshëm i një proteste, si shprehje e vullnetit të qytetarëve, bart me vete përgjegjësi dhe detyra sa ligjore aq edhe morale. Që në të ardhmen të kemi proteste dhe jo vandalizëm, vullnet të lirë qytetar dhe jo agjenda apo interesa të ngushta klanore të shfryra përmes dhunës, është obligim i yni dhe i gjithë atyre që i janë betuar t’i prijnë një lëvizjeje që identifikon vullnetin e popullit për mos ta zbehur dhe devijuar atë. Komuna e Tetovës edhe njëherë informon qytetarët se do t’i prijë procesit institucional drejt zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi, duke theksuar edhe njëherë se të gjithë kemi nevojë për ajër, por në të njëjtën kohë edhe për qytetari dhe sjellje qytetare”- thuhet nga Komuna e Tetovës.