Maqedoni
Selmani: Komisioni Anketues është i dështuar
19.12.2015 16:19
Komisioni anketues për skandalin me përgjimet vazhdon të zvarisë punimet edhe pse afatet për themelimin dhe veprimin e këtij trupi, të parapara me Marrëveshjen e dy qershorit, janë tejkaluar moti...

Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se papërgjegjshmëria morale, politike dhe publike e aktorëve politik dhe neglizhenca e institucioneve për zbatimin e Marrëveshjes së dy qershorit po reflektohet edhe në Komisionin Anketues për skandalin me përgjimet.
Sipas tij edhe ky komision si të gjithë komisionet anketuese pararendës është i dështuar, pasi deri tani palët nuk kanë treguar seriozitet dhe nuk i respektojnë rregullat që i kanë vënë vet.
“Para se të fillojnë seancat e Komisinit Anketues të dyja palët nuk kanë dëshmuar seriozitet, për arsye se, në bazë të veprimit të saj, ata kanë rregullore se si duhet të veprohet. Të jetë publike ose jo. Megjithatë, gjithmonë insistojnë që të gjejnë shkaqe. Të gjitha komisionet që janë themeluar në Parlamentin e RM kanë qenë të dështuara, prandaj edhe ky komision është i dështuar”, shprehet analisti Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit edhe anëtarët e Komisionit Anketues mbajnë përgjegjsi politike dhe publike nëse nuk kryejnë me seriozitet dhe në kohë angazhimin e dhënë nga Kuvendi.
“Prandaj them, edhe në këtë rast: cdo veprimtari që është publike nëse ajo nuk kryhet me përgjegjsi në kohën dhe momentin e duhur atëherë kanë përgjegjsi edhe penale, prandaj edhe anëtarët e Komisionit kanë përgjegjsi sepse ata nuk e kryejnë punën ndërsa janë të paguar nga institucionet e shtetit dhe nga vetë shteti për t’i zgjidhur ato probleme ose për të ndihmuar në forma të ndryshme”, shprehet analisti Bashkim Selmani.
Selmani thotë se Kuvendi duhet të kërkojë llogari nga zyrtarët që ka zgjedhë vetë pasi përgjimet e paligjshme dëshmuan se ka shkelje te diskrecionit institucional.
Ndryshe, Komisioni anketues, të enjten ndërpreu seancën ku duhej të dëgjohet ministri i financave Zoran Stavrevski, edhepse ky i fundit iu përgjigj ftesës.
Veç dëgjimit të dëshmitarëve, Komisioni ka miratuar edhe planin për vizita në institucionet të cilat janë të lidhura me skandalin me përgjimet e paligjshme dhe në bazë të informatave të grumbulluara duhet të hartojnë raport për gjendjen e konstatuar.
SHPËTIM NUREDINI
