Siri, avionët rusë bombardojnë caqet e militantëve
Avionët ushtarakë rusë e kanë bombarduar një qytet që mbahet nga militantët në veri të Sirisë, duke lënë të vdekur disa persona...

Sulmet ajrore të 20 dhjetorit, raportohet se e kanë goditur një treg në të cilin qarkullojnë shumë njerëz, disa ndërtesa qeveritare dhe blloqe apartamentesh në Idlib, kryeqytet i provincës veriperëndimore që mban të njëjtin emër. Ka pasur raporte kundërthënëse për numrin e të vdekurve.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut tha se 36 persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur. Agjencia “Reuters”, duke i cituar punonjësit e shpëtimit, ka njoftuar se janë vrarë 43 persona dhe janë plagosur mbi 150 të tjerë.
Ushtria siriane e mbështetur nga sulmet ajrore ruse tha më 20 dhjetor se e ka rimarrë nën kontroll qytetin Khan Touman në jug të Aleppos. Sipas tyre, kjo është një fitore e madhe ngase iu hap rrugë për përparime të mëtejme në perëndim të provincës Idlib.
