Konservatorët i fitojnë zgjedhjet në Spanjë

21.12.2015 12:14

Partia konservatore në pushtet e ka fituar shumicën e vendeve në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura dje në Spanjë, por e ka humbur shumicën që kishte në parlamentin prej 350 anëtarësh...

Nga pothuajse të gjitha votat e numëruara, Partia Popullore e kryeministrit Mariano Rajoy i ka fituar 28.7 për qind, derisa socialistët 22 për qind.

Partitë e reja, Shtetasit (Ciudadanos) dhe Podemos, që është kundër masave të kursimit, i ka fituar 20 për qind, përkatësisht 13.9 të votave, duke i dhënë fund sistemit dypartiak që ishte me dekada në Spanjë.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e 20 dhjetorit ishte rreth 72 për qind. Rezultatet tregojnë se së paku tri parti do të duhet të bashkohen për ta krijuar qeverinë.