Maqedoni

Jashari dhe Neziri: Rasti “Monstra” t’i dorëzohet Prokurorisë Speciale

21.12.2015 17:04

Rasti “Monstra” duhet të dorëzohet në duart e Prokurorisë Speciale...

Kjo kërkesë u dërgua edhe një herë nga ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, sipas të cilit kjo lëndë, pavarësisht se në cilën fazë është, duhet të hetohet nga Prokuroria Speciale. 
 
“Kemi thënë dhe ngelim pas qëndrimit se rasti ‘Monstra’, në bazë të Ligjit për Prokurori Speciale, duhet të jetë në kompetenca të kësaj prokurorie. Rasti ‘Monstra’ në bazë të Ligjit për Prokurori Speciale, pa marrë parasysh se në cilën fazë është, Ligji për Prokurori Speciale përcakton kompetencat, jo ministri i Drejtësisë, dhe kjo çështje, përsëris edhe një herë, duhet të bartet tek Prokuroria Speciale”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
 
Bekim Neziri në emër të BDI-së tha se kjo parti do të luftojë deri në fund që rasti i ashtuquajtur “Monstra” të transferohet tek Prokuroria Speciale. 
 
“Si rezultat i një sërë aktivitetesh në të kaluarën, që BDI nuk është pjesë e atyre aktiviteteve dhe si rezultat i një sërë aktivitetesh me të cilat nuk pajtohet BDI u formua edhe Prokuroria Speciale dhe kjo nuk është e rastësishme. Andaj, kategorikisht ne do të luftojmë deri në fund që rasti ‘Monstra’ të transferohet tek Prokuroria Speciale”- tha Bekim Neziri nga BDI.
 
Ndërkohë, sa i përket zërave se pjesëtarët e grupit të armatosur që akuzohen për incidentin në Kumanovë janë keqtrajtuar nga nëpunësit policorë që i kanë shoqëruar ata deri në gjykatë dhe gjatë kthimit në paraburgim, Jashari thotë se kërkesa për hetimin e rastit i është dorëzuar ministrit të Punëve të Brendshme dhe pret përgjigje me shkrim nga ai. 
 
“Unë për këtë çështje kam kërkuar përgjigje me shkrim dhe nga momenti kur unë do të marr përgjigje do të ju informoj. Këtë çështje e kemi iniciuar si BDI edhe në Qeverinë e RM-së, nuk është ndonjë tabu temë dhe presim përgjigje që kjo çështje sërish të rihapet dhe të merren masa adekuate për ata që keqpërdorin dhe marrin masa jashtë autorizimeve të tyre ligjore”- theksoi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
 
“Në mbledhjen e fundit qeveritare me kërkesë të ministrit të Drejtësisë u kërkua përgjigje konkrete nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ka konkluzion të cilin edhe mund të publikojmë në mjetet e informimit ku obligohet ministri i Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Avokatin e Popullit në seancën e ardhshme qeveritare të informojë detajisht për rastin që u paraqit”- u shpreh Bekim Neziri nga BDI.
 
Neziri thotë se pasi të merren detaje rreth asaj se çka ka ndodhur atë ditë me të akuzuarit në rastin e Kumanovës do të dihet se çfarë hapa do të ndërmerr BDI. 
 
SANIJE KASAMI