Maqedoni
Ministria e Drejtësisë, Jashari dha llogari për punën e tij njëvjeçare
21.12.2015 17:27
Puna e Ministrisë së Drejtësisë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ka qenë e fokusuar në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në sistemin juridik të shtetit...

Puna e Ministrisë së Drejtësisë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ka qenë e fokusuar në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në sistemin juridik të shtetit, si dhe në ndryshimin dhe plotësimin e disa ligjeve, me qëllim të sigurimit të paanshmërisë dhe objektivitetit të institucioneve juridike, informoi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, gjatë takimit me delegacionin e BDI-së të udhëhequr nga ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, deputetet, Ermira Mehmeti dhe Vjollca Mehmeti-Nuredini, dhe anëtari i KShZ-së, Subhi Jakupi.
Sipas ministrit Jashari, përfaqësimi jo vetëm që është rritur, por edhe theks i është kushtuar edhe përfaqësimit kualitativ të shqiptarëve.
“Informova se shqiptarët në RM udhëheqin me disa gjykata themelore dhe gjykata të apelit, duke u nisur nga Gjykata Themelore në Dibër, në Strugë, në Kërçovë, në Gjykatën e Apelit në Gostivar, Gjykatën Themelore të Tetovës. Në Shkup, shqiptarët udhëheqin me Gjykatën Administrative dhe Gjykatën Themelore Shkupi 2, si dhe në Kumanovë kryetari i Gjykatës Themelore është shqiptar”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
“Në Ministrinë e Drejtësisë janë sjellë një sërë ligje që garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në RM, dhe segmenti i dytë është segmenti reformues ose segmenti i profesionalizmit në të gjitha segmentet të Ministrisë së Drejtësisë dhe shkon në drejtim të reformave të cilat kërkohen nga legjislativa e Unionit Evropian. Ministri i Drejtësisë na informoi me të gjitha ndryshimet që janë bërë dhe këto ndryshime vlen të potencohen dhe të përshëndeten”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Gjithashtu ministri Jashari informoi për ndryshimet ligjore, si Ligji për matjen e lartësisë së dënimeve, Ligji për probacion, si dhe ai për noteri dhe përmbarim.
ERSAN PAJAZITI
