Maqedoni
Në Gostivar prezantohen favoret për qytetarët, shtyhet afati i legalizimit të objekteve pa leje
21.12.2015 17:40
Ndryshimet e fundit ligjore të Ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe përparësitë për qytetarët...

Ndryshimet e fundit ligjore të Ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje dhe përparësitë për qytetarët që dalin nga ky ligj ishte thelbi i konferencës së sotme me gazetarë e kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, i cili ishte i shoqëruar edhe nga deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Kryetari Bejta vuri në dukje se ndryshimet ligjore paraqesin mundësi të re për qytetarët që t’i legalizojnë ndërtimet pa leje, duke shtuar se afati rrjedhës fillon nga dita e sotme (e hënë), dhe do të zgjasë deri më 31 Mars 2016, ku dhe qytetarët do të mund të parashtrojnë kërkesa të reja.
Kryetari i Gostivarit paralajmëroi se përfaqësues të Sektorit për Urbanizëm do të dalin edhe në terren dhe do të vizitojnë të gjithë vendbanimet e Komunës së Gostivarit, për të njoftuar nga afër qytetarët rreth mundësive që ofron ligji, respektivisht ndryshimet e fundit ligjore të ligjit për legalizim.
Ndërkohë, deputeti, Rexhail Islamili, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Transport, Lidhje dhe Ekologji deklaroi se në Gostivar ka ardhur me ftesë të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, për të promovuar ndryshimet e ligjit për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.
Në fund, kryetari Bejta vuri në dukje se në afatin fillestar në Komunën e Gostivarit u dorëzuan gjithsej 8641 kërkesa për legalizime, ndërkohë që deri tani janë lëshuar 3031 vendime të plotfuqishme për legalizim si dhe 1743 lëndë janë në procesin e sipër.
LULZIM HAZIRI
