Maqedoni
Kuvendi i Maqedonisë debaton për interpelancën e Todorovit
21.12.2015 18:02
Deputetët e Kuvendit debatojnë për interpelancën dhe punën e ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov...

LSDM kërkon nga ministri Todorov të japë dorëheqje nga posti që ai drejton dhe të mbajë përgjegjësi për menaxhimin joprofesional të sistemit shëndetësor.
Ata akuzuan Todorovin se është fajtor për rrogat e ulëta të punonjësve shëndetësorë, për ikjen e 700 mjekëve nga vendi, për mungesën e reformave rrënjësore në shëndetësi, për dështimin e projektit për kartelat shëndetësore, për vdekjen e Tamarës dhe për foshnjat e vdekura në gjinekologji.
“Mjaft është Todorov! Nëse ju ka mbetur të paktën pak njerëzi dhe dinjitet, duhet të jepni dorëheqje! Falë jush shëndetësia e preki fundin. Duhej të largoheshit pas vdekjes së Tamarës, sepse nuk ishte e pranueshme që një paciente 3 vjeçare të shëtitet lartë e poshtë, duke kërkuar leje për të bërë ndërhyrje jashtë vendit”- deklaroi Jagoda Shahpaska nga LSDM.
“Me të vërtetë nuk mund të kuptoj se si nuk ndjeni aspak njerëzi dhe përgjegjësi. Duhet të kërkoni falje për kaosin në shëndetësi, për lehonën e vdekur në Gjevgjeli dhe në Shkup, dhe për foshnjat e vdekura në Tetovë dhe Veles. Mendoj se për përgjegjësinë morale ky diskutim është i mjaftueshëm, kjo tash mbetet në përgjegjësinë dhe edukatën tënde familjare se a do të largoheni nga posti që ju drejtoni”- deklaroi Goran Misovski nga PRSD.
Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, para deputetëve tha se nuk ndjen përgjegjësi për të dhënë dorëheqje, sepse, sipas tij, në shëndetësi janë investuar shuma të mëdha parash pikërisht për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi.
“Unë nuk do të flas për intrigat e lira politike që prezanton opozita në vazhdimësi, por do të flas për projektet të cilat i kemi realizuar deri tani dhe që do t’i realizojmë në të ardhmen. Kemi investuar në modernizimin dhe përmirësimin e kushteve të shumë objekteve shëndetësore. Në vijim është cikli investues me vlerë prej 150 milion eurove. Ndër rekontruimet më të rëndësishme do të veçoja objektin e ri të Gjinekologjisë dhe Akusherisë në Shkup, që përfshin 12 mijë metra katrorë, rekonstruimin e plotë të Spitalit për Sëmundje të Mushkërive në Esenovë, si dhe Qendrën Urgjente të re në kuadër të Spitalit Klinik në Tetovë, me çka janë mundësuar kushte më të mira për pacientët”- tha ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Projekte të tjera të suksesshme në shëndetësi, sipas Todorovit, janë farmacitë rurale, vaksinat polivalente, vizitat shtëpiake, “Termini im”, skrinig dhe mamografia falas e grave, edukimi dhe specializimi shtesë i mjekëve jashtë vendit dhe sigurimi i shumë pajisjeve të reja në shëndetësi.
REXHEP QAMILI
