Maqedoni

Propozim-ligji për Universitetin Shtetëror, “Nënë Tereza” ka hyrë në procedurë parlamentare

21.12.2015 18:08

Propozim-ligji i qeverisë për themelimin e Universitetit Shtetëror “Nënë Tereza” në Shkup ka hyrë në procedurë parlamentare...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, para deputetëve kërkoi që ligji të miratohet në procedurë të përshpejtuar.

Kërkesa e tillë, sipas Ademit, bazohet në formimin sa më të shpejtë të kushteve, si dhe kompletimin e stafit që universiteti të nis punën në vitin akademik 2016-2017.

Kjo u kundërshtua nga deputetja e LSDM-së, Solza Gërçeva, e cila kërkoi që të tërhiqet propozim-ligji.

Gërçeva tha se nuk ekzistojnë praktika në botë që propozime të tilla për themelim të universiteteve të kalojnë me procedura të shkurtuara.

Kërkesa e saj nuk mori mbështetjen e shumicës. Propozim-ligji pritet të kalojë nëpër komisionet kuvendore, që më pas t’i kthehet seancës plenare për miratim.