Qendra për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave: Transparenca në punë e institucioneve vetëm 30%
Qytetarët e vendit nuk kanë qasje të mjaftueshme në punën e institucioneve, thonë nga Qendra për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave...

Sipas një hulumtimi mbi matjen e qeverisjes së mirë të realizuar nga ky institut, institucionet vetëm 30% janë transparente dhe të hapura në punë dhe vendimet institucionale. Kryesisht, qeveria, ministritë dhe agjencitë janë të mbyllura në punën dhe vendimet e tyre.
“Për fat të keq, të dhënat në bazë të këtij hulumtimi, të bazuar në mbi 130 indikatorë, në kategori të shumta tregojnë se pjesa më e madhe e shkallës së transparencës së përfshirjes së opinionit kryesisht në punën e transparencës në buxhet, të cilat kanë qenë lëndë të hulumtimit, është nën 30%, vetëm disa institucione arrijnë në 40% dhe kjo tregon se kjo mosqasje e informacioneve, jotransparenca është një fakt se duhet të punohet në krijimin e politikave, në menaxhimin dhe qeverisjen të punohet shumë në të ardhmen”- deklaroi zëvendësministri në Ministrinë e Bujqësisë, Ilija Nikolovski.
Mënyra e vetme për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e vendit është nëpërmjet punës transparente, llogaridhënëse dhe profesionale, theksoi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti. Sipas saj, Raporti i Komisionit Evropian dhe Raporti i PRIBE-së janë dy dokumente themelore në bazë të së cilave klasa politike duhet të udhëzohet për punë të përgjegjshme dhe llogaridhënëse.
“Unë nuk jam e prirur dhe nuk mendoj se tanimë akoma duhet të flasim apo të konstatojmë gjendjen, sepse llogaris se gjendja tanimë është e konstatuar, por besoj se detyrë e jona si klasë politike është të bëjmë këtë lloj qasje, strategjie, qasje politike, e cila do të rezultojë me ndryshimin e gjendjes në institucione, në mënyrë që ato para së gjithash të bëhen të besueshme dhe për t’u bërë të besueshme ato duhet të jenë të hapura, profesionale dhe tërësisht transparente në punën e tyre”- tha Ermira Mehmeti nga BDI.
Ana Blazhevska nga Sekretariati për Çështje Evropiane theksoi se qeverisja e mirë paraqet bazë të procesit integrues, njëherit edhe kusht kryesor nga kriteret e Kopenhagës, ndërkaq hulumtimet e këtilla, sipas Bllazhevskës, duhet të shërbejnë si udhërrëfyes se ku ka nevojë të punohet në vazhdimësi. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
