Maqedoni

Ndotja e ajrit në nivel të lartë, mjegulla shkakton vështirësi në komunikacion

22.12.2015 15:37

Manastiri, Tetova, Shkupi dhe Kërçova vazhdojnë të jenë qytete më të ndotura në vend...

Stacionet matëse gjatë 24 orëve të fundit kanë treguar se është tejkaluar kufiri i lejuar i mikgromëve dhe kanë regjistruar mbi 180 mikrogram në metër kub në këto qytete.
 
Më pas rangohet edhe qyteti i Kvadarit dhe Koçanit si vende të ndotura. Në orën 9 të mëngjesit, grimcat PM në Manastir kanë shënuar 397 mikrogram, në Tetovë 297, në Kërçovë 183, në lagjen Gazi Babë të Shkupit 323 mikrogram, në Lisiçe 219, në Qendër 285 dhe në Karposh 85 mikrogram në kub.
 
Për shkak të mjegullës në mëngjes, një pjesë e madhe e fluturimeve dhe aterimeve në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup u anuluan dhe disa aeroplan janë drejtuar drejt aeroportit të Ohrit dhe Prishtinës, ndërsa gjatë kësaj nate akoma nuk ka paralajmërime për anulime të reja të aterimeve dhe fluturimeve nga ky aeroport. 
 
Ndërkohë mjegulla vështirësoi edhe komunikacionin rrugor, në veçanti në viset malore të vendit. Zvogëlim i shikueshmërisë në komunikacion prej 50 metra është paraqitur në Gostivar, Strumicë, Kriva Pallankë, si dhe në Strazhë. Kujdes të veçantë duhet pasur në akset rrugore: Katllanovë, Veles, Dibër, Strugë, Mavrovë, Demir Kapi dhe Udovë.
 
Nga Auto-Moto e Maqedonisë u rekomandojnë drejtuesve të automjeteve të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të adaptojnë shpejtësinë e tyre në varësi të kushteve rrugore. 
 
Sinoptikanët paralajmërojnë për sonte dhe ditën e nesërme mjegull pothuajse në të gjithë Maqedoninë. 
 
REXHEP QAMILI