Maqedoni
Biblioteka “Koço Racin” në Tetovë shënon 70 vjetorin e themelimit
22.12.2015 15:41
Biblioteka e Tetovës “Koço Racin” sot shënoi 70 vjetorin e themelimit të saj...

Në këtë përvjetor u bë e ditur se edhe përkundër kushteve jo të mjaftueshme, kjo bibliotekë mbetet lider sa i përket numrit të lexuesve në nivel të Maqedonisë, pasi në dhjetë vitet e fundit numri i lexuesve të rregullt kalon mbi pesë mijë.
“Me këtë rast kemi menduar të shënojmë 70 vjetorin e bibliotekës, duke pasur parasysh edhe kushtet me të cilat biblioteka e Tetovës gjendet, duke shpresuar se në të ardhmen do ta shënojmë në objektin e ri, i cili është në punim të sipër. Biblioteka e Tetovës ka vite që ka rritje të lexuesve tanë, në krahasim me bibliotekat tjera në Maqedoni. Në vazhdimësi jemi duke shënuar rritje të numrit të lexuesve dhe në të njëjtën kohë kemi edhe rritje të fondit të bibliotekës, e cila është pasuruar në vazhdimësi gati për çdo vit”- deklaroi drejtoresha në bibliotekën e Tetovës, Fitore Reshiti.
Në këtë përvjetor u ndanë mirënjohje për 60 lexues të rregullt të kësaj biblioteke, në mesin e të cilëve është edhe Anisa Bexheti.
“Kam lexuar libra të Zhelvernit, por edhe kam lexuar shumë libra të tjerë që më kanë pëlqyer shumë, por më shumë më pëlqejnë librat fanta-shkencë. Të lexosh është një gjë shumë e mirë dhe është e mirë për ardhmërinë time, nuk është diçka që të sjell dëm”- tha Anisa Bexheti.
Biblioteka e Qytetit të Tetovës vazhdon të funksionojë në një hapësirë të vogël, ku janë të sistemuar sektori për fëmijë, sektori për të rritur dhe sektori për përpunim profesional të materialit të bibliotekës.
VISAR SADIKI
