Maqedoni
Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, vizitoi Gjykatën Themelore të Kërçovës
22.12.2015 16:10
Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, sot vizitoi Gjykatën Themelore të Kërçovës, me ç’rast nga kryetari i saj, Baki Alili, u njoftua për kushtet në të cilat vepron gjykata. Ai po kështu kërkoi nga ministri edhe kthimin e kompetencave të gjykatës që ai drejton...

Kryetari i Gjykatës Themelore të Kërçovës, Baki Alili, fillimisht e njoftoi ministrin për kushtet në të cilat vepron gjykata të cilën ai e drejton dhe bëri të ditur se numri i shqiptarëve në Gjykatën Themelore të Kërçovës viteve të fundit është rritur dukshëm dhe nga 67 punëtorët e saj 28 janë shqiptarë.
Gjykata e Kërçovës vepron me 11 gjykatës dhe 6 bashkëpunëtorë me përvojë, të cilët do të kenë mundësinë që të shfrytëzojnë konkurset e akademisë për ngritjen e tyre profesionale. Ai kërkoi nga ministri kthimin e kompetencave të Gjykatës së Kërçovës që iu morën më vitin 1997.
Rikthimi i kompetencave të Gjykatës Themelore të Kërçovës mund të realizohet përmes riorganizimit të sistemit gjyqësor, potencoi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Ministri, Adnan Jashari, vuri në dukje edhe masat e Ministrisë së Drejtësisë për reformimin e gjyqësorit dhe planin aksional konform marrëveshjeve politike dhe vërejtjeve të BE-së për legjislativin në Maqedoni. Nga këto masa, tha ai, mund të përfitojë edhe Gjykata Themelore e Kërçovës.
SHABAN DALIPI
