Botë
Fjalimi vjetor i presidentit, Gjorge Ivanov; munguan deputetët e BDI-së dhe LSDM-së
22.12.2015 16:25
Presidenti i Shtetit, Gjorge Ivanov, fjalimin vjetor në Kuvend e mbajti vetëm para deputetëve të VMRO-DPMNE-së, pasi që në sallë munguan deputetët e BDI-së dhe ata të LSDM-së...

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, mungesën e integristëve në sallë e arsyetoi me faktin se nuk e pranojnë Ivanovin si president.
“Grupi parlamentar i BDI-së nuk ka qenë prezent sot në seancën plenare në të cilën është drejtuar zoti Ivanov, për shkak se qëndrim politik i BDI-së është se ai nuk është president legjitim dhe gjithsesi nuk është president konsensual i vendit dhe si i tillë nuk i përfaqëson të gjithë qytetarët dhe të gjitha grupet etnike në RM”- tha Ermira Mehmeti nga BDI.
Mehmeti, duku u thirrur në Rekomandimet e KE-së, tha se duhet të ketë një hetim të plotë për rastin në fjalë.
“Personalisht nuk isha në sallë, nuk e kam dëgjuar fjalimin, por nëse duhet të bëj një koment, do të thirrem në konkluzat dhe rekomandimet e raportit vjetor të KE-së dhe të Samitit të javës së kaluar të Këshillit të Ministrave, i cili kërkon një hetim të plotë dhe transparent për ngjarjet e Kumanovës”- tha Ermira Mehmeti nga BDI.
Ndërsa grupi i deputetëve të LSDM-së nuk mori pjesë në fjalimin vjetor, pasi, sipas tyre, Ivanov vazhdon të hesht dhe pranon rolin e Nikolla Gruevskit.
“Ivanov heshti edhe për skandalin e përgjimeve jolegale nga ana e pushtetit të mbi 20 mijë qytetarëve, ka heshtur edhe për krimin më të madh që e zbuloi ‘E vërteta për Maqedoninë’, me ç’rast edhe u nënshkrua Marrëveshja e Përzhinës. Kur shteti është në krizë, Ivanov është vetëm një dëshmitar i shurdhët. Është vonë tani për Ivanovin, deri më tani të kishte pasur guxim, jo politik, do të kishte dhënë dorëheqje nga dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përzhinës, ose do të shkonte së bashku me Gruevskin”- theksoi Goran Sugarovski nga LSDM.
Por, për Antonio Milloshovskin të VMRO-DPMNE-së mosprezenca e LSDM-së dhe BDI-së paraqet mungesë kapaciteti për dialog politik.
“Mosprezenca e LSDM-së dhe BDI-së në seancën ku mbante fjalim presidenti Gjorge Ivanov e vlerësojmë si mungesë e kapacitetit për dialog politik dhe si mungesë minimale e kulturës politike para institucioneve shtetërore”- tha ANTONIO MILLOSHOVSKI nga VMRO-DPMNE.
Në sallë morën pjesë edhe deputetët e PDSh-së, por nuk komentuan fjalimin vjetor të presidentit Ivanov.
SANIJE KASAMI
