UShT për Universitetin “Nënë Tereza”, Ameti: Universiteti i ri, projekt madhor kombëtar
Rektori i UShT-së, prof. dr. Vullnet Ameti, përgëzon themelimin e Universitetit "Nëna Tereza" në Shkup dhe hapjen e dy fakulteteve të reja në kuadër të UShT-së...

“Hapja e universitetit në gjuhën shqipe në qytetin e Shkupit është një ngjarje e madhe historike për të gjithë ne dhe dëshmi e një angazhimi permanent intelektual dhe qytetar në shërbim të së mirës tonë të përgjithshme dhe paraqet një vizion politik largpamës në tablonë tonë mbarëkombëtare. Profilizimi i këtij universiteti me karakter kryesisht shkencor teknik përkon me kërkesat e shoqërisë dhe ekonomisë së tregut, por njëherit ngritja dhe konsolidimi i tij kërkon edhe një përpjekje të madhe bashkëpunuese të të gjithë aktorëve institucional dhe shoqëror. Universiteti Shtetëror i Tetovës, me gjithë përvojën dhe kapacitetet e deritanishme, do t’i vejë në shërbim të universitetit shqip në qytetin e Shkupit të gjitha mekanizmat e veta, me qëllim që ky universitet të ngrihet në një vatër të dijes, ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë. Ky projekt është përmbi çdo interes, qoftë politik, etnik, fetar a krahinor dhe si i tillë duhet të mbështetet fuqishëm deri në realizimin e tij përfundimtar. Shqiptarët e Maqedonisë, duke pasur parasysh rrethanat politike-shoqërore të së kaluarës, si asnjë komunitet tjetër në rajonin e Ballkanit, e meritojnë të drejtën e shkollimit sipëror në gjuhën amtare dhe nevojën për universitete dhe programe studimore të të gjitha profileve. Miratimi i ligjit për themelimin e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup shoqërohet edhe me një ngjarje tjetër të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë dhe për Universitetin Shtetëror të Tetovës, respektivisht me hapjen e dy fakulteteve të reja, Fakultetin e Bujqësisë dhe Bioteknologjisë dhe Fakultetin Pedagogjik, gjë që dëshmon për rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve tona në shërbim të spektrit të gjerë shoqëror”- thuhet në urimin e rektorit të UShT-së, Vullnet Ahmeti, i cili në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup i uron punë të mbarë, duke përgëzuar të gjithë aktorët e përfshirë për realizimin e këtij projekti madhor kombëtar.
