Maqedoni

Ivanov mbajti fjalimin vjetor në Kuvend

22.12.2015 17:30

Anëtarësimi i vendit në BE dhe NATO mbetet prioritet për vendin, por prioritet kryesor për vitin 2016 është të kemi shtet funksional që e ruan rendin dhe qetësinë publike...

Anëtarësimi i vendit në BE dhe NATO mbetet prioritet për vendin, por prioritet kryesor për vitin 2016 është të kemi shtet funksional që e ruan rendin dhe qetësinë publike, që kujdeset për sigurinë dhe mbrojtjen dhe krijon kushte për sundimin e ligjit. Kështu deklaroi presidenti, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij vjetor në Kuvend.
 
Ai ka folur me tone kritike ndaj partive politike për shkak të krizës politike në vend. Sjellja e papërgjegjshme e partive politike ka ndikuar negativisht edhe ndaj proceseve eurointegruese.
 
“Në vend të raporti për përparim, morëm raport për stagnim, pas shtatë vitesh në vend të datës për anëtarësim morëm rekomandim të kushtëzuar. Kuptohet arsyeja kryesore pse Maqedonia është e bllokuar, është vetoja greke, këtë nuk mundet askush ta kontestojë, por kur e dimë se kjo është ashtu, atëherë pse përveç problemit ekzistues krijojmë edhe problem të ri të brendshëm. Pengesë për integrimet tanimë nuk është vetëm problemi i imponuar me emrin, por edhe problemi që e kemi me veten”- deklaroi kryetari i RM-së, Gjorge Ivanov.    
                                                
Për shkak të papërgjegjësisë politike e fituam Marrëveshjen e Përzhinës. Ata që kanë marrë përgjegjësi edhe duhet ta realizojnë, tha Ivanov, sipas të cilit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk kemi të drejtë për gabime.  Ivanov u ndal edhe te rasti i Kumanovës, më 9 dhe 10 maj të këtij viti, duke e cilësuar si ekstremist dhe terrorist grupin e armatosur. 
 
“Më datën 9 maj, jeta e qetë në Kumanovë u rrezikua nga ekstremistë të dhunshëm dhe terroristë, të cilët erdhën për të prishur paqen, bashkëjetesën, demokracinë dhe rendin e Maqedonisë. Ata deshën që të shkelin integritetin territorial dhe të destabilizojnë shtetin. Një kohë të gjatë kam paralajmëruar për këtë rrezik. Që nga fillimi i vitit kërkuam ndihmë nga 17 shërbime të vendeve partnere nga Unioni Evropian, NATO dhe nga vendet e rajonit. Fatkeqësisht, këmbimi i informatave, me qëllim që të parandalohen grupi në qëllimet e tij, nuk dha rezultate”- tha Ivanov.
 
Por, shpresëdhënës, sipas presidentit Ivanov, është modeli i Maqedonisë për bashkëjetesë dhe respektimi i diversitetit, i cili është shprehur në manifestin e Krushevës, KAÇKM-së dhe në Marrëveshjen e Ohrit, si dhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.
 
Ivanov u ndal edhe te mediat, për të cilat tha se duhet të jenë korrigjuese të institucioneve dhe gjithashtu u ndal edhe te kriza me migrantët, të cilën e quajti si sfidën më të madhe të njerëzimit.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI