Maqedoni
Agjencia e Mediave shpalos propozim për monitorimin e mediave gjatë zgjedhjeve
22.12.2015 17:53
Me shumë dilema, Agjencia e Mediave propozoi metodologjinë për monitorim të mediave gjatë informimit të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm...

Do të mbikëqyren televizionet kombëtare dhe radiot, por jo edhe portalet, pasi që nuk janë të definuara si media me ligj.
Do të analizohen edicionet qendrore të lajmeve se si informohet, kohëzgjatja e kronikave, pamjet dhe respektimi i standardeve gazetareske. Propozohet që reklamimi i paguar politik të zgjasë 18 minuta brenda një ore program. 8 minuta t’i ndahen pozitës, 8 opozitës, 1 minutë për partitë që nuk kanë grup parlamentar dhe 1 minutë për partitë jashtë parlamentit.
Por, hapet dilema se si partitë në pushtet dhe ato të opozitës do t’i ndajnë midis veti minutat e reklamimit.
“Dilema qëndron në atë se si do të ndahen minutat e caktuara për partitë në pushtet dhe se si do t’i ndajnë partitë opozitare minutat e parapara për ata. Kemi parti që kanë dalë nga pushteti, ndërkaq kanë poste ministrore, nuk dihet a është në pushtet apo në opozitë dhe e kundërta. Edhe në këtë pjesë kemi shumë dilema”- deklaroi drejtori i Agjencisë së Mediave, Zoran Trajçevski.
Reklamimi pa pagesë në servisin publik do të bëhet gjatë fushatës zgjedhore, prej orës 16 deri në orën 23. Edhe në këtë pjesë nuk është e definuar kohëzgjatja dhe renditja e reklamimit të partive.
“Sa i takon kohëzgjatjes dhe në çfarë renditje do të shkojë reklamimi i partive politike, do të duhet të përcaktohet nga vetë RTVM më së voni deri më 8 janar. Do të ishte mirë që renditja të bëhej me rotacion, por kjo do të varet nga vendimi i servisit publik”- tha udhëheqësja e sektorit për punë programore, Emilija Janevska.
Agjencia e Mediave e lë të hapur propozimin për korrigjim deri më 27 dhjetor, ndërkaq metodologjia pritet që të miratohet më 8 janar. Të gjitha palët e interesuara do të mund të japin propozimet e tyre në adresë të Agjencisë. Këtu përfshihen edhe partitë politike të cilët sot nuk ishin prezent për të qartësuar dilemat e shtruara.
MERAL ISMAILI
