Futboll
Barcelona, klubi me më shumë trofe ndërkombëtarë
22.12.2015 17:56
Nuk ka në Botë një klub të tjetër që të ketë fituar më shumë tituj ndërkombëtarë se Barcelona...

Blaugranat të cilët në dekadën e fundit kanë fituar plot 26 trofe duke bërë epokë, falë suksesit në finalen e Botërorit të klubeve ndaj River Plate e kanë cuar në 22 numrin e titujve ndërkombëtarë.
Me triumfin që arriti në Yokohama të Japonisë, Barca e ka zgjatur edhe me një trofe më tepër avantazhin ndaj Realit të Madridit, Milanit dhe egjiptianëve të Al Ahly që numërojnë 20 tituj ndërkombëtarë.
Suksesi në finalen e Champions e Leagues që u zhvillua në Berlin ndaj Juventusit verën e kaluar, bëri që katalanasit të barazonin këto tre klube në këtë klasfikim special.
Për të parakaluar Realin, Milanin dhe Al Ahly në renditje, Barcës i mjaftoi fitorja e Superkupës së Europës në Tbilisi ndaj Sevillas, për të ardhur në fund te triumfi në Botërorin e Klubeve, sukses ky që kurorëzoi një vit 2015-të të jashtëzakonshëm për skuadrën e Luis Enriques.
Për të arritur kuotën e 22 trofeve ndërkombëtarë, Barcelona ka fituar 5 Champions League, 3 Botërore për klube, 5 Superkupa Europe, 4 Kupa Kupash, 3 Inter-Cities Fairs Cup, kompeticion ky që nuk ekziston më dhe 2 Kupa Latine.
Historia e sukseve të mëdha të Barcës nisi në vitin 2006, me atë fitore 2-1 ndaj Arsenalit në finalen e Champions League që u luajt në Stade de France.
Ai ishte titulli i 13-të ndërkombëtar i fituar nga Barcelona që gjatë 9 viteve në vazhdim pasoi edhe me 9 trofe të tjerë për një total prej 22 titujsh ndërkombëtarë.
Ajo që mund të themi pas të gjitha këtyre, është shumë e thjeshtë: “Ndodhemi në epokën e Barcelonës skuadrës që po bën ligjin në futbollin europian dhe atë Botëror”.
