Ndotja e lartë e ajrit në disa qytete, mjegulla pengon komunikacionin ajror
Edhe mëngjesin e sotëm është regjistruar nivel i lartë i ndotjes së ajrit dhe prani e mjegullës së dendur...

Niveli më i lartë i ndotjes në mëngjesin e sotëm është regjistruar në Tetovë, Manastir, Shkup, Kërçovë dhe Koçan.
Stacionet matëse në Tetovë kanë regjistruar koncentrim të grimcave PM10 prej 345 mikrogram në metër kub, në Manastir 270, në Kërçovë 163, ndërsa në Shkup në stacionin matës në Qendër janë matur 283, në Lisiçe 232, Gazi Babë 211, rektorat 171 dhe Milladinovc 89 mikrogram. Ndërsa mjegulla e dendur që është shfaqur mëngjesin e sotëm në Shkup ka rezultuar me anulime të disa fluturimeve në aeroportin e Shkupit, ndërsa disa të tjera janë orientuar për në aeroportin e Ohrit dhe Sofjes. Mëngjesin e sotëm nuk janë realizuar fluturimet për Vjenë dhe Stamboll, ndërsa fluturimet për Zagreb dhe Geteborg janë realizuar.
Siç njoftojnë nga aeroporti "Aleksandri i Madh" në Shkup, prej mbrëmë nuk ka pasur aterime në këtë aeroport. Fluturimet që janë orientuar në aeroportin e Sofjes janë ato për në Vjenë, ndërsa fluturimet për Mallmo dhe Barcelonë janë orientuar për në Ohër. Gjithashtu, fluturimi për në Stamboll është anuluar, ndërsa shtyrje të kohës ka pasur për fluturimet në Cyrih dhe Beograd.
