Operacione masive shpëtimi në Kinë, gjendet 19 vjeçari, mbeti 67 orë nën rrënoja
Një person, i cili kishte mbetur i bllokuar për 67 orë në rrënojat e ndërtesave, që u mbuluan nga rrëshqitjet e dheut në Shenzhen të Kinës, është gjetur i gjallë nga ekipet e shpëtimit...

Autoritetet thanë se ai ishte dehidratuar dhe ndodhej në një gjendje mjaft të rëndë.
Për të mundësuar nxjerrjen e tij të sigurt nga rrënojat u deshën të paktën dy orë.
Mjekët u shprehën se personi kishte dëmtime të lehta në njërën këmbë, por ndodhej jashtë rrezikut për jetën. Mediat vendase raportuan se bëhej fjalë për 19 vjeçarin, Tian Zeming. Ai ishte një punëtor i thjeshtë që vinte nga Kina jug-perëndimore.
Rrëshqitjet e dheut në qytetin Shenzen të Kinës ndodhën pasi një strukturë e madhe prej masivi gurësh dhe balte u shemb, duke mbuluar dhjetëra godina. Autoritetet vijojnë të kërkojnë për të mbijetuar, teksa më shumë se 70 persona rezultojnë të humbur.
Në vendin e ngjarjes ndodhen afro 1.500 trupa që bëjnë pjesë në ekipet e kërkim-shpëtimit.
