Maqedoni

Mjegulla vështirëson komunikacionin, qytetarët: Mjegulla ikën, ndotja është problem

23.12.2015 13:48

Mjegulla e dendur që përfshiu shumë qytete të vendit ka shkaktuar probleme në komunikacionin tokësor dhe ajror...

Prej mbrëmë aeroporti “Aleksandri i Madh” nuk ka pranuar aterime. Fluturimet në aeroportin e Shkupit u ridrejtuan për në Ohër dhe  Sofje.
 
Mëngjesin e sotëm nuk janë realizuar fluturimet për Vjenë dhe Stamboll. Mjegulla pengoi edhe komunikacionin sot në mëngjes, por edhe gjatë natës, sidomos në autostrada ku mungon ndriçimi e ku si pasojë e mjegullës së dendur mund të bëhen edhe aksidente.
 
“Në mbrëmje e kemi më të vështirë  kur  nuk ka ndriçim dhe mjegulla na  pengon shumë”- tha një shofer. 
 
Bashkë me mjegullën e dendur, qytetet më të ndotura të vendit kanë vazhduar të kenë nivele alarmante të ndotjes së ajrit. Qytetarët thonë se ndotja i pengon më shumë se mjegulla, sepse mjegulla kalon shpejt, ndërsa ndotja e ajrit lë dëme të pariparueshme në shëndet. 
 
“Na pengon shumë, na pengon, veçanërisht atyre të sëmurëve ju pengon shumë më shumë se sa të shëndoshëve”- tha një qytetar.    
                                        
“Koha katastrofë, shumë mjegull, shumë ajri i papastër, ambienti i papastër që është i rëndësishëm. Por, askush nuk po punon, nuk po mendon për popull, secili vetëm për veti”- theksoi një qytetar.
 
“Ndotja e ajrit na pengon shumë, ajo ndikon në shëndet, ndërsa në qytet kur ka mjegull nuk është aq vështirë të vozitësh, por ndotja më së shumti na pengon”- u shpreh një qytetar.  
 
Stacionet matëse në Tetovë kanë regjistruar koncentrim të grimcave PM10 prej 345 mikrogram në metër kub, në Manastir 270, në Kërçovë 163, ndërsa në Shkup në stacionin matës në Qendër janë matur 283 mikrogram në metër kub.
 
REJHANE  BUSHI-METAJ