Maqedoni

Universiteti “Nënë Tereza”, Ademi kërkon përkrahje nga të gjithë

23.12.2015 15:52

Vendimi për themelimin e Universitetit të ri Shtetëror me mësim në gjuhën shqipe “Nënë Tereza” në Shkup është një vendim madhor jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por edhe më gjerë...

Për themelimin e një universiteti në kryeqendër duhen elaborime dhe përkrahje të gjithanshme, ka thënë ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, në emisionin  “Argument” në TVM2.
 
“U konstatua se ideja është e mirë, por duhet një elaborim i mirëfilltë, një arsyetim edhe shoqëror dhe arsyetim pse duhen këto fakultete të jenë në Shkup dhe argumenti tjetër është që ky projekt të shihet si avancim i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, si një institucion i cili do të jep kontributin e tij  zhvillimor dhe arsimor për shtetin dhe në asnjë mënyrë nuk do të jetë institucion i cili do të dëmtojë UShT-në, por përkundrazi, do ta ndihmojë të njëjtin”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Ministri Ademi thotë se universiteti i ri është projekt mbipartiak, andaj ai pret përkrahje nga të gjitha partitë parlamentare. 
 
Gazetarja, Laura Papraniku, vë në dyshim transparencën më të madhe të këtij projekti në opinion nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe partisë shqiptare në pushtet.
 
“Në këtë aspekt mendoj se janë treguar të shkathët. E kanë vënë opozitën shqiptare të mbështetur për muri para një akti të kryer, sepse të dalësh të kundërshtosh idenë për themelimin e një universiteti me mësim në gjuhën shqipe, aq më tepër në Shkup, i cili është i rëndësishëm jo vetëm për shkupjanët, por të gjithë shqiptarët e Maqedonisë është një lajthitje politike”- tha gazetarja në  Radio “Shkupi”, Laura Papraniku.
 
 Profesori universitar, Abdulrauf Pruthi,  thotë se përskaj dilemave që mund të ekzistojnë, shqiptarët kanë pasur një nevojë imediate për themelimin e një universiteti shqip në kryeqendër. Dimensioni i tij ndërkombëtar do të jetë një mekanizëm i sigurt për cilësinë e tij.
 
“Një ndërkombëtar  si rektor nëse vjen, i një universiteti publik, unë mendoj se sado kudo ndoshta jo qind për qind, por me një përqindje të madhe influenca e politikës në universitet do të jetë shumë më e vogël. Pse e them këtë? Sepse sipas ligjit ekzistues të arsimit sipëror kompetencat e rektorit janë shumë të mëdha”- theksoi profesori universitar, Abdulrauf Pruthi.
 
Ministri Ademi shpreson se të gjitha procedurat e nevojshme do të realizohen pa problem dhe në kohën e duhur, dhe viti akademik në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup do të fillojë në shtator të vitit 2016. 
 
ERSAN PAJAZITI