Maqedoni
Vërejtjet e KE-së për sistemin gjyqësor, BDI: Është problem rajonal; PDSH: E keni partizuar
23.12.2015 16:03
Maqedonia, për të qenë anëtare e BE-së duhet të sigurojë gjyqësor të pavarur, efikas dhe të paanshëm...

Sundimi i ligjit dhe interpretimi i drejtë i ligjeve njëherit janë edhe sugjerime që i kërkon BE-ja. Kështu deklaroi sot zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, në debatin mbi rrugën e arritjes së standardit gjyqësorit evropian në vend në Komisionin Parlamentar për Eurointegrime.
“Maqedonia, krahasuar me vendet e rajonit dhe në kuadër të një mesatareje të implementimit të legjislacionit evropian apo aquis kapitujt, Maqedonia është në mesataren e rajonit, mirëpo ajo që kryesisht ne na sugjerohet është një implementim i drejtë i ligjeve apo sundimi i ligjeve”- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
Për fat të keq, në Maqedoni praktika gjyqësore nuk është e unifikuar, por megjithatë sektori i gjyqësisë ka arritur të integrojë ligjet, sidomos në pjesën e të drejtës civile, theksoi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari. Sipas tij, sistemi gjyqësor i drejtë nuk është vetëm problem i Maqedonisë, por edhe i vendeve rajonale, përfshirë këtu edhe disa vende të BE-së.
“Qeverisja me të drejtën dhe mbrojtjen e të drejtës së njeriut është kusht kryesor në rrugën drejt anëtarësimit apo aderimit në BE, me çka institucionet e gjyqësorit kanë rolin kryesor në realizimin e drejtësisë, si grand themelor për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Ndërkaq, opozita shqiptare, duke theksuar politizimin e skajshëm të gjyqësorit, kërkoi nga parlamenti miratimin e Ligjit për dekriminalizim politik.
“Në Maqedoni nuk kemi pushtet të së drejtës. Gjyqësori është joefikas dhe joprofesional, është i partizuar dhe i politizuar. Unë kështu e lexoj raportin e Komisionit Evropian”- theksoi Orhan Ibrahimi nga PDSh.
Kryetarja e Komisionit për Eurointegrime, Ermira Mehmeti, theksoi se vendi ka nevojë për angazhim më të madh politik për depolitizimin, deetnizimin dhe dekriminalizmin e pushtetit gjyqësor në vend, me qëllim që të sigurohet një gjyqësor evropian.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
