Maqedoni
“Fabrika e aferave”, Prokuroria: Janë gjetur mijëra biseda të përgjuara
23.12.2015 16:09
Prokuroria Themelore në Shkup ka konfirmuar se në të ashtuquajturën “Fabrika e aferave” janë gjetur dhjetëra mijë biseda të regjistruara në mënyrë të kundërligjshme...

Po ashtu janë gjetur edhe një numër i madh i materialeve dhe dokumenteve personale të falsifikuara. Nga Prokuroria Publike po ashtu thonë se për hetimin e rastit janë angazhuar disa prokurorë të cilët tani më deri tek MPB-ja kanë dorëzuar urdhër për ndërmarrjen e disa aktiviteteve hetuese.
“Gjatë kontrolleve, në banesën e personit Z. B. dhe personave tjerë janë gjetur një numër i madh i mostrave për dokumente të udhëtimit, leje për vozitje, letërnjoftime dhe dokumente tjera. Po ashtu janë gjetur edhe makineri dhe pajisje, edhe atë presa, prerës, dhe pajisje kompjuterike për përpunimin e dokumenteve të falsifikuara, ndërsa në njërin prej kompjuterëve, sipas rrëfimeve të personave, ka pasur dosje me mijëra biseda telefonike të përgjuara”- deklaroi prokurori publik, Jovan Cvetanovski.
Për kryerjen e ekspertizës do të nevojiten prej 2 deri në 3 muaj. “Për shkak të ndjeshmërisë së hetimit nuk do të kemi mundësi të ndajmë gjithçka me opinionin”- thonë nga Prokuroria Themelore në Shkup.
GYLTENE SINANI
